ASIMETRIA E PLAGËVE TË LUFTËS
Ismail Syla
1.
Kur Vasfije Krasniqi vendosi ta bëjë të përbotshëm rastin e sajt tragjik, vëllai i saj, Nafiu, në emër të vëllezërve tjerë i kërkoi motrës falje publikisht që nuk arritën ta mbrojnë nga dhunuesit, oficerët policorë serb më 17 prill 1999, kur ajo ishte vajzë e mitur 16 vjeçare. Fatkeqësia e Vasfijës së re nuk është ndodhi vetëm e saj personale. Ajo simbolizon fatin historik qindvjeçar të femrës së një vendi dhe populli të pushtuar. Deklarata e vëllait të saj është pozicioni më i sinqertë dhe real jo vetëm i tij, por i tërë kombit tonë në raport asimetrik më pushtuesin serb, në një periudhë mbi njëshekullore. Gjykuar nga ky pozicion asimetrik, ata që mbetën gjallë dhe nuk u vranë, ato dhe ata që nuk u përdhunuan nuk është meritë e heroizmit të tyre, por e faktit që mbi ta nuk ra putra e luftës. Thënë më konkretisht, si fat individual, nëse unë mbeta gjallë dhe gruaja ime, motra, ime etj, nuk u dhunuan nuk është meritë e imja, por rastësi e shpëtimit nga ajo putër, e cila shkeli rëndë në Likoshan, Çirez, Abri, Reçak, Rezallë, Izbicë, Mejë, dhe gjithandej Kosovës, ku u bënë me qindra e qindra masakra dhe shumë dhunime.
Nisur nga ky pozicion, tragjedia dhe stigma nuk janë pjesë vetëm e atyre që u ballafaquan me martirizim, flijim dhe përdhunim, por turpërimi dhe faji është pozicioni ynë gjeneral kombëtar. Duke qenë një popull pa sistem të vetëmbrojtjes, pa aftësi organizative institucionale, për dymijë vjet, natyrisht që kanë ndodhur tragjedi mbi trupin tonë kolektiv. Vrasjet, dhunimet, zhvendosjet, dëbimet, shfarosjet, burgosjet, masakrimet, poshtërimet janë forma çnjerëzore që u përjetuan nga qytetarët tanë shekuj me radhë deri më 12 qershor 1999, kur nga Kosova u dëbua administrimi serb, kur çizmja e ushtrisë dhe policisë serbe u largua pas një lufte të hapur rreth dyvjeçare. Këtij sundimi i dha fund pushka çlirimtare (UÇK) dhe intervenimi ndërkombëtar (NATO).
2.
Nëse Vasfije Krasniqi është dhembja jonë e gjallë kombëtare, e cila me guxim qytetar e përbotësoi fatin e saj, shumë vajza, gra, nëna, të moshuara përjetuan vdekjen e dhunshme, madje edhee gra shtatzëna, me fëmijë në dorë, duarthata, pa pikë faji, me të vetmin faj pse ishin shqiptare. T’i marrim si shembuj konkretë. Kur Imer Deliu nga Abria e Epërme e përshkruan vrasjen dhe masakrimin e dhjetë anëtarëve të familjes së tij, bie në sy kraharori i shkatërruar i bashkëshortes dhe biberoni i Valmirit dy vjeç e gjysmë, fotoja e të cilit e tronditi sekretaren amerikan të shtetit, Madeline Albright, botuar në “New York Times” të 30 shtatorit 1998. Prishjen e kraharorit të një nëne ka “të drejtë” ta bëj mosha, sëmundja dhe vdekja e natyrshme, por jo njeriu. Shkatërrimi i gjirit të një nëne dhe gruaje në mënyrë të dhunshme është ndërhyrje ekstreme kriminale dhe akt gjenocidi mbi hapësirën që është habitat biologjik i foshnjës, mbi burimin fillestar të ushqyeshmërisë së saj, mbi strehën e dashurisë reciproke të pafund midis nënën dhe fëmijës. Po u krahasua në përmasa planetare ky krim është tragjedi kozmike. Një trup qiellor mund të shuhet në mënyrë normale për miliona vjet, e po u shkatërrua nga ndërhyrje fizike, atëherë ndodh prishja e rendit të gjithësisë, çrregullimi i ligjit dhe lëvizjes harmonike.
Kur zonja Albright sheh fotot e masakrimit të familjes Deliu, betohet se nuk do të lejohet përsëritja e rastit të Bosnjës në Kosovë. E ne, që 27 vjet pas çlirimit nuk kujtohemi e as nuk betohemi që një rrugë në Drenas apo diku tjetër ta ketë emrin e Valmir Deliut, heroit të vogël, armatosur me biberon.
3.
Menjëherë pas luftës sekretari gjeneral i NATOS, lordi George Robertson, pasi viziton Poklekun, ku më 17 prill 1999 vriten dhe digjen mizorisht 53 civilë, jep deklaratën e famshme, duke thënë se ata që duan ta kuptojnë arsyen e thellë për domosdoshmërinë e intervenimit të NATO-s mbi caqet policore ushtarake serbe, është mirë që ta vizitojnë Poklekun. Në Poklek shtëpia e familjes së Sinan Muçollit është simbol dhe metaforë njëkohësisht e sallonit më të përgjakur në Evropë. Derisa Evropa elitare është e njohur për sallone aristokratike ku kanë lindur rryma filozofike dhe letrare, ku janë mbajtur ballo e koncerte të klasit të parë, salloni i Shtëpisë së Muçollëve është hapësirë ku vriten 53 civilë, pleq, gra dhe fëmijë, është “Shtëpia me gjak në mure” (titull i librit të Afrim Hysenajt), e shndërrua në krematorium.
Për ironi të fatit, në planin propagandistik antishqiptar, më shumë se kjo shtëpi e Poklekut dhe salloni i saj tragjik, u ngre hija e një shtëpi tjetër në hapësirën shqiptare, “Shtëpia e Verdhë”, ku gjoja nxirreshin dhe shiteshin organet e qytetarëve serbë të zënë rob nga UÇK-ja. Afera e “shtëpisë së verdhë” edhe njëherë vuri në pah raportin asimetrik mes botës serbe dhe asaj shqiptare. Mbi ngrehinën e kësaj shtëpie u përpoq të krijohet një mit i ri, i rremë, i fabrikuar. Dhe në fakt nga aty u krijua Raporti famëkeq i Dick Marttyt, që çoi në ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës dhe krijimin e Gjykatës Speciale. Një shtëpi në Shqipëri me ngjarje të paqenë u bë më e zëshme se shtëpia e Poklekut me 53 civilë duarthatë, të vrarë nga policët serbë me bomba, me plumba automatikësh dhe në fund të djegur me karburant. Në rrafshin mediatik, propagandistik, një krematorium real të fundshekullit 20, u përpoq ta mbys një shpifje e fillim shekullit 21.
4.
Se lufta nuk përfundon në mënyrë të prerë kalendarike më së miri e dëshmojnë dy gra epike të Kosovës, thua të dala nga mbretëria e miteve: Ferdonije Qerkezi dhe Nëna Pashkë. Derisa zonja Ferdonije me dhomën, fotot dhe tryezën e shtruar, ruan kujtesën për humbjen e bashkëshortit dhe katër djemve, është bërë simbol i qëndresës përballë dhembjes së madhe, Nëna Pashkë është simbol tragjik i monoflijimit, duke i vënë vetës flakën për shkak të mospërballimit të përmasës së humbjes. Pas gjetjes së eshtrave të dy djemve të saj dhe rivarrimit të tyre, ajo nuk mundi ta përballojë dhimbjen, duke i dhënë fund vetvetes katër vjet pas përfundimit të luftës (2003). Zonja Ferdonije përmes ritualit të saj, flijimit të heshtur moral, është simbol i nënave që kërkojnë drejtësi për më të dashurit e tyre të humbur. Nëna Pashkë është demonstrim fizik i atyre nënave që jetojnë me plagë të pashëruara nga humbjet e të afërmve, e zemërdjegurave, që përkundër krenarisë dhe lavdisë, janë qenie prej gjaku, mishi dhe ndjenjash.
Akti fizik i Nënë Pashkës, nuk ka si të mos na sjell në mendje aktin metafizik të Adem Demaçit, i cili pas përpunimit të brendshëm të idesë për kundërvënie jetësore të robërimit të Kosovës nga Jugosllavia, në një letër e shkruan emrin e tij dhe mbiemrin, Adem Demaçi, dhe i vë flakën.
Ai aty e nënshkroi flijimin, sakrificën e tij legjendare, duke kaluar 28 vite jetë nëpër burgje. Ky akt i djegies për ideal dhe atdhe, bëri që Adem Demaçi i burgosur dhe i zoluar, të frymëzojë mijëra të rinj e të reja në rrugën e lirisë, dhe izolimi i trupit të tij të bëjë kundërefekt, hapje dhe ndikim në të gjitha zhvillimet politike atdhetare (1968, 1981 etj), ndonëse pa praninë e tij. Kjo djegie metafizike e bëri Adem Demaçin njeri me guxim të pafund, qëndrestar universal, i cili edhe në ditët më të zeza të kohës së luftës qëndroi hapur në Prishtinë, i gatshëm, qoftë edhe për t’u vrarë nga forcat serbe.
5.
Sa herë që vijnë përvjetorët e vrasjeve, masakrave dhe krimeve të kryera nga forcat serbe në Kosovë gjatë viteve 1998/99 rishfaqet dhembja pikëllimi dhe plagët e hapura. Para varrezave të të vrarëve qëndrojnë nëna, gra, fëmijë dhe anëtarë të ngushtë të familjes. Deklaratat më të dhimbshme janë ato edhe kur ndodh gjetja e trupave, eshtrave, varrimi i mbetjeve mortore dhe thuhet fjalia vetëngushlluese: “Së paku po e dimë ku janë eshtrat e tij/saj”. Ky ngudhëllim tragjik edhe njëherë e shpreh pozicionin asimetrik të Kosovës ndaj krimeve serbe. Nuk ka gjë më të dhimbshme se kur një prind, anëtar familje a i afërm, i lodhur nga jeta, duhet të kënaqet me gjetjen e eshtrave të të afërmit. Ndërkaq, vënia e drejtësisë, ndëshkimi i kriminelëve, dënimi i tyre ligjor dhe moral, mbeten “luks” prej të cilit kanë hequr dorë. Me të drejtë Qenda “Gjenocodi në Kosovë – Plagë e Hapur” me seli në Gjenevë të Zvicrës, e drejtuar nga atdhetarë idealistë, ngre alarmin për të mos i harruar krimet e kryera në Kosovë nga forcat ushtarake dhe policore serbe. Lufta? – Jo vetëm plagë e hapur, por edhe aso që ende kullon!



