ASK-ja zbulon se sa pagoi shteti për pagat e punëtorëve në sektorin publik

08 dhjetor 2021 | 11:24

Gjithsej 486 milionë euro kanë shkuar nëpër llogaritë e të gjithë punonjësve në sektorin publik si paga dhe mëditje nga buxheti i shtetit, vetëm nga janari deri në tetor të këtij viti.

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar raportin për “Llogaritë qeveritare për tremujorin e tretë të këtij viti”, në të cilin ka shpalosur shifra për të hyrat dhe për të gjitha shpenzimet e qeverisë nëpër tremujorë, duke bërë krahasime edhe me vitet paraprake.

Kështu, të hyrat e qeverisë së përgjithshme në TM3 2021 ishin në shifrën e 673.9 milionë eurove, krahasuar me të hyrat në TM3 2020 që ishin në vlerë të 512.6 milionë eurove, përcjell “Buletini Ekonomik”.

Pjesën më të madhe të të hyrave qeveritare e përbëjnë tatimet në produkte që shënuan një vlerë prej 485 milionë euro, apo 72.0 për qind të totalit të të hyrave, ku bën pjesë edhe taksa e TVSh-së me 282.5  milionë euro dhe tatimi në dogana në vlerë të 190,5 milionë euro, ndërsa pjesa e mbetur është shpërndarë në kategori tjera si: tatimi në të ardhura 82.3, tatimi në prodhim 12.2, tatimi nga prona me 14.5, pagesat për prodhimet jo-tregtare (shitjet) me 28.6 milionë euro, etj.

Ndërkohë, shpenzimet e përgjithshme të Qeverisë në tremujorin e tretë 2021, ishin në vlerën e 526.9 milionë eurove, krahasuar me vitin e kaluar ku ishin 579.8 milionë euro.

Prej shpenzimeve, pjesën më të madhe e përbëjnë kompensimi i punëtorëve në gjithë sektorin publik, që në tremujorin e tretë 2021 ishte në vlerën e 154.4 milionë eurove, në tremujorin e dytë 2021 ishte 162.3 milionë euro, kurse në tremujorin e parë të 2021 ishte 169.8 milionë. Në total këto shpenzime gjatë vitit 2021, deri në tetor, llogariten në vlerën e 486.5 milionë eurove.

Pas kompensimit dhe pagave të punëtorëve që përbënin 29.3 për qind të të gjitha shpenzimeve, kontributet sociale dhe përfitimet merrnin pjesë me 25.6 për qind të totalit të shpenzimeve, konsumi i ndërmjetëm me 13.5 për qind dhe formimi i kapitalit bruto me 13.1 për qind.

Ndërsa sa i përket sektorëve qeveritar ku të hyrat qeveritare u shpenzuan më së shumti, ishin në sektorin mbrojtja sociale me 25.3 për qind, shërbime të përgjithshme me 15.6 për qind, çështjet ekonomike me 14.7 për qind, arsimi me 14.0 për qind, shëndetësia 12.8 për qind, ndërsa pjesa e mbetur e shpenzimeve është shpërndarë në sektorët e tjerë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kylian Mbappe e ka lavdëruar Lionel Messin. Të dy sulmuesit…