Asnjë rast nuk është regjistruar me ethe hemorragjike në Malishevë

09 shtator 2019 | 17:55

Këshilli i Drejtorëve në Komunën e Malishevës ka mbajtur të hënën mbledhjen e rregullt, ku drejtorët e drejtorive komunale i kanë prezantuar para kryetarit të kësaj komune, Ragip Begaj, aktivitetet e javës së kaluar dhe planifikimet për javën në vijim. Në këtë mbledhje është bërë me dije se gjendja me ethet hemorragjike është e mirë, ndërsa rastet e thumbimeve nga rriqrat janë shumë të rralla.

Sipas Drejtorisë për Shëndetësi, rastet e thumbimeve nga rriqrat janë të rralla tani, ndërsa edhe në këtë vit, së paku deri më tani, nuk është regjistruar asnjë rast me ethe hemorragjike si pasojë e thumbimit të rriqrave. Gjithashtu, në këtë mbledhje është  bërë me dije se në kuadër të aktiviteteve për mirëmbajtjen e ambientit priten të largohen dy deponi ilegale të mbeturinave dhe kjo do të bëhet në bashkëpunim në mes të drejtorive përkatëse dhe kompanisë për menaxhimin e mbeturinave.

Sa iu përket investimeve kapitale, sipas drejtorive përkatëse, janë duke vazhduar punimet në shumicën e projekteve të cilat kanë filluar të realizohen, ndërsa disa projekte të tjera janë në proces e sipër dhe pritet që të përfundojnë brenda planifikimeve.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komuna e Ferizajt ka theksuar se qasja e qeverisjes lokale…