Asociacioni i Arkitektëve: Ulpiana është trashëgimi urbane, jo rezervë për ndërtim

12 nëntor 2026 | 08:49

Asociacioni i Arkitektëve të Kosovës ka kërkuar anulimin e vendimit të Kuvendit Komunal të Prishtinës për caktimin e hapësirës “Te Fontana”, në lagjen Ulpiana, për realizimin e projektit “Ulpiana 2030 Legacy”, duke vlerësuar se ndërtimet e reja do të rrezikonin trashëgiminë urbanistike të kësaj lagjeje.

Përmes një deklarate publike, Asociacioni ka shprehur shqetësimin lidhur me vendimin për shfrytëzimin e kësaj hapësire për ndërtim, duke theksuar se Ulpiana përfaqëson një nga shembujt më të rëndësishëm të urbanizmit modernist dhe të zhvillimit të planifikuar të Prishtinës.

Sipas Asociacionit, vlera e kësaj lagjeje nuk qëndron vetëm te objektet e veçanta, por te tërësia e saj urbanistike, përfshirë hapësirat e lira, gjelbërimin, sheshet, rrugët dhe raportin ndërmjet ndërtesave dhe hapësirave publike.

“Ulpiana duhet të trajtohet dhe të ruhet si tërësi urbane, e jo si një grumbull parcelash ku hapësirat e pandërtuara konsiderohen potencial për ndërtime të reja. Hapësirat e lira nuk janë mungesë e arkitekturës. Ato janë pjesë përbërëse e saj”, thuhet në deklaratë.

Asociacioni ka rikujtuar edhe kontributin e arkitektit Bashkim Fehmiu, autor i planit urbanistik të vitit 1962, i cili hodhi bazat e zhvillimit të lagjeve moderne të Prishtinës, përfshirë Ulpianën.

Në deklaratë theksohet se ruajtja e kësaj lagjeje nënkupton edhe respektimin e vizionit profesional dhe të historisë së planifikimit urban në Kosovë.

Arkitektët sqarojnë se kundërshtimi i tyre nuk lidhet me cilësinë e mundshme të projektit “Ulpiana 2030 Legacy”, i cili ende nuk është prezantuar, por me përshtatshmërinë e vetë lokacionit për ndërtime të reja.

Sipas tyre, edhe një projekt me vlera të jashtëzakonshme arkitektonike nuk do ta arsyetonte ndërhyrjen në një hapësirë që është pjesë e një kompozimi të konsoliduar urbanistik.

“Arkitektura nuk vlerësohet vetëm për cilësinë e saj individuale, por edhe për marrëdhënien që krijon me kontekstin. Në një tërësi urbane me vlera të veçanta, akti më i përgjegjshëm arkitektonik mund të jetë pikërisht vendimi për të mos ndërtuar”, thuhet më tej.

Asociacioni ka përmendur edhe ndërhyrjet e mëhershme me struktura të larta në pjesë të tjera të lagjes, duke vlerësuar se ato duhet të shërbejnë si paralajmërim për pasojat që mund të sjellë ndryshimi i kompozimit fillestar urbanistik.

Megjithatë, organizata nuk e kundërshton përmirësimin e infrastrukturës së Ulpianës. Në deklaratë thuhet se ndërhyrjet nëntokësore, përfshirë ndërtimin e parkingjeve publike, mund të jenë të mirëseardhura, nëse nuk ndikojnë në pamjen mbi tokë, gjelbërimin, drunjtë ekzistues dhe organizimin hapësinor të lagjes.

Asociacioni vlerëson se organizimi i Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030” duhet të shërbejë si mundësi për përmirësimin e qytetit dhe jo si arsye për cenimin e trashëgimisë së tij urbanistike.

Në përfundim, Asociacioni i Arkitektëve të Kosovës ka kërkuar anulimin e vendimit të Kuvendit Komunal për caktimin e lokacionit “Te Fontana” për ndërtim, si dhe ndërprerjen e çdo procedure që synon realizimin e ndërtimeve të reja mbi tokë në këtë hapësirë.

“Qyteti nuk ndërtohet vetëm me atë që shtojmë, por edhe me atë që dimë të ruajmë. Ulpiana është një nga ato pjesë të Prishtinës që nuk duhet ta humbasim duke pretenduar se po e zhvillojmë”, përfundon deklarata e Asociacionit të Arkitektëve të Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Lidhja e Bizneseve të Kosovës ka shprehur shqetësim për rritjen…