Asociacioni i Komunave kritikon Ministrinë e Financave për mosekzekutimin e pagave

01 shtator 2022 | 16:27

Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) është duke mbajtur një takim urgjent, pasi Ministria e Financave nuk ka ekzekutuar pagat për sektorin publikë.

Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, ka thënë se si kryetar komunash, kanë pritur që qeveria të mundësonte që më 1 shtator të fillonte mësimi, por se ka munguar komunikimi dhe dialogu.

“Nga sot, nga këtu apelojmë që të gjenden të gjitha rrugët që të zhvillohet dialogu mes Qeverisë dhe BSPK-së, në mënyrë që të zhbllokohet situata dhe greva të përfundojë, dhe që të gjitha institucionet të kthehen në normalitetin dhe punën e tyre”, ka thënë Aliu.

Në këtë takim ka folur edhe kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, i cili ka thënë se duhet të paditen përgjegjësit për mosekzekutim të pagave.

“Duhet padi për përgjegjësit që nuk i kanë ekzekutuar pagat. Qeveria nuk do të guxojë të mos ekzekutojë pagat, sepse ne nuk kemi dorëzuar lista në qeveri, e as që na ka thënë të dorëzojmë lista”, ka thënë Lladrovci.

Megjithatë, Lladrovci ka thënë se i kanë treguar qeverisë se nuk mund t’i dorëzojnë listat, pasi vetë zyrtari që i bën listat është në grevë.

Edhe kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti, ka thënë se mesazhi i tij dhe i kolegëve të tij duhet të jetë që qeveria Kurti dhe BSPK-ja të ulen sa më parë dhe të gjejnë një zgjidhje për situatën.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nuk kanë fund lajmet e këqija për kombëtaren tonë. Pas…