“Ata që më tradhtuan kanë dështuar”, për kë e ka fjalën Pacolli?

19 tetor 2021 | 15:51

Lideri i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli, ka komentuar në mënyrë indirekte rezultatin e zgjedhjeve lokale të 17 tetorit.

Pacolli ka thënë se të gjitha ata që e kanë tradhtuar kanë dështuar, çuditërisht.

“Tradhtia, pabesia, mosmirënjohja, gënjeshtra, shpifja, gjuha e ndyrë etj, ndikojnë negativisht në kualitetin e jetës dhe kthehen gjithmonë si ‘bumerang’ në kurriz të secilit. Në përvojën time, njerëzit që më kanë braktisur me dashakeqësi kanë tentuar të më lëndojnë ose më kanë tradhtuar në jetë, kanë dështuar çuditërisht. Unë besoj se njerëzit e mirë shpërblehen dhe të këqijtë ndëshkohen nga jeta. Herët apo vonë”, ka shkruar Pacolli në llogarinë e vet në “Facebook”.

Pjesë e AKR-së kanë qenë Agim Bahtiri, i cili e ka humbur garën në Mitrovicë, Arsim Rexhepi, i cili po ashtu e ka humbur garën në Vushtrri dhe Mimoza Kusari-Lila, e cila ka dalë e dyta në Komunën e Gjakovës në garën për kryetare të kësaj komune.

Bahtiri, Rexhepi dhe Kusari-Lila në zgjedhjet e 17 tetorit kanë garuar nën siglën e Lëvizjes Vetëvendosje.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas fitores në nëntë komunat me shumicë serbe dhe shkuarjes…