ATK-ja me aksion kundër faturave fiktive

11 prill 2018 | 12:26

Administrata Tatimore e Kosovës, përkatësisht Departamenti i Hetimeve Tatimore (DHTI) dhe Inteligjencës, në orët e para të mëngjesit të sotëm, ka zhvilluar një aksion kontrolli në Zubin Potok në katër lokacione nën dyshimin se janë kryer veprimtari të kundërligjshme, transaksione fiktive.

Sipas një njoftimi të ATK-së, aksioni është zhvilluar me sukses dhe pa ndonjë problem, ku në mbështetje të zyrtarëve të DHTI-së kanë qenë Policia e Kosovës (Njësia Speciale).

“Aksioni është zhvilluar me autorizim të prokurorit. Sipas informacioneve të para nga tereni, janë gjetur disa dëshmi se personat dhe subjektet e caktuara, janë marrë me veprimtari të kundërligjshme – lëshimin e faturave fiktive. Gjatë këtij aksioni janë sekuestruar prova materiale, si: USB dhe dokumentacion tjetër që dëshmojnë shmangie tatimore, vlera e faturave fiktive të lëshuara dyshohet të jetë mbi 4 milionë euro”, është thënë në njoftimin e ATK-së.

Sipas këtij njoftimi, Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar për të parandaluar dhe luftuar ekonominë joformale.

“Si institucion i specializuar dhe me autorizime të veçanta ligjore për të parandaluar dhe luftuar ekonomin joformale dhe evazionin fiskal, Administrata Tatimore e Kosovës ka ndërmarrë dhe do të ndërmerr veprime përkatëse ligjore në funksion të zbatimit të kësaj strategjie të Qeverisë”, është theksuar në njoftimin e ATK-së.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) ka lansuar Strategjinë…