Auditorja e përgjithshme kërkon uljen e pagës për 1 mijë euro, opozita e kritikon qeverinë Kurti

07 tetor 2021 | 12:20

Auditorja e përgjithshme e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), Vlora Spanca, në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, ka kërkuar ulje të pagës për rreth 25 për qind, derisa opozita ka kritikuar qeverinë Kurti, duke thënë se është vonuar me Ligjin për paga.

Spanca gjatë raportimit në këtë komision ka thënë se duke parë situatën dhe standardet ka kërkuar uljen e pagës nga 3 821 në 2 800 euro.

Ajo ka kërkuar nga deputetët që të merret parasysh propozimi i saj. “Sa i përket diskutimit të pagës, e vlerësoj të lartë duke i marr parasysh rrethanat e reja, duke marr parasysh standardet dhe rrethanat që jemi. Kam menduar se do të ishte më e arsyeshme që paga e auditorit të jetë më e ulët për shkak se si zyrë ne duhet të demonstrojmë shembull, dhe propozimi im ka qenë se jo një pagë më e lartë se 2 800 euro do të ishte e mjaftueshme. Unë uroj që të merret parasysh propozimi im, sepse ju jeni ligjvënës”, ka thënë Spaca.

Më tutje, ajo ka konfirmuar se do të ketë edhe një raport të pasqyrave financiare për vitin 2021 për televizionin publik.

Ndërsa deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka kërkuar nga qeveria që sa më shpejtë ta miratojë Ligjin për paga, derisa e ka cilësuar shembull të mirë që zyrtarët e lartë publikë të kërkojnë ulje të pagës.

“Është shembull i mirë që zyrtarët e lartë publikë kërkojnë zbritjen e pagës, por ne duhet të veprojmë sipas ligjit sepse ne e kemi kuptuar edhe më pra qe ka laramani ndërmjet institucioneve për pagat. Ne mund ta kryejmë këtë, mirëpo ka shumë laramani dhe me një individ asgjë nuk mund të bëjmë”, ka thënë Lekaj.

Në anën tjetër, deputeti i Vetëvendosjes, Eman Rrahmani, ka thënë se auditorja Spanca është shembull i zyrtarëve të lartë që marrin paga të larta.

Kurse deputeti nga radhët e PDK-së, Mërgim Lushtaku, ka kritikuar qeverinë Kurti për vonesën në Ligjin për paga.

“Në këtë drejtim shqetësimi im është të Ligji i pagave. Qeveria po vonohet dhe mazhoranca nuk po bën asnjë presion”, ka thënë Lushtaku.

Por, deputeti i LDK-së Avdullah Hoti ka pyetur se nëse preket paga e auditores së përgjithshme, a mund të preket edhe paga e auditorëve të tjerë.

“Ju lus që të jeni të kujdesshëm sepse ju ka prekur sindromi i politikanëve, që kur e marrin detyrën çdo gjë ju është dukur gabim përpara”, ka thënë Hoti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Diaspora për shtatë muaj ka dërguar në Kosovë 750 milionë…