Auditorja e Përgjithshme mori pjesë në konferencën “Mbështetja e BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor”
Në kuadër të vizitës në Gjykatën Evropiane të Auditorëve në Luksemburg, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, me bashkëpunëtorë mori pjesë në konferencën e organizuar nga ky institucion me temën “Mbështetja e Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor”.
Konferenca mblodhi përfaqësues të institucioneve të Bashkimit Evropian, institucioneve financiare ndërkombëtare dhe autoriteteve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, për të diskutuar mbi efektivitetin e instrumenteve kryesore financiare të BE-së që mbështesin zhvillimin dhe procesin e integrimit evropian të rajonit.
Diskutimet u fokusuan në funksionimin e Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (Western Balkans Investment Framework – WBIF), si dhe në zbatimin e Instrumentit për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor (Reform and Growth Facility).
Pjesëmarrësit trajtuan progresin e arritur, sfidat në zbatim dhe rëndësinë e forcimit të qeverisjes, transparencës dhe llogaridhënies për të siguruar përdorimin sa më efektiv të fondeve të Bashkimit Evropian.
Auditorja e Përgjithshme, duke vlerësuar lartë rëndësinë e kësaj konference dhe ndihmën evropiane për Ballkanin Perëndimor shpalosi para pjesëmarrësve rolin e Zyrës Kombëtare të Auditimit në auditimin e projekteve të financuara nga BE, duke ofruar shembuj konkret të angazhimit të institucionit.
Konferenca ofroi gjithashtu një mundësi për shkëmbimin e përvojave dhe diskutimin e qasjeve të auditimit në vlerësimin e ndikimit të mbështetjes financiare të BE-së, duke krijuar një bazë të vlefshme për bashkëpunim dhe zhvillimin e auditimeve të ardhshme në këtë fushë.
Në kuadër të konferencës, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, zhvilloi takime të veçanta me anëtaren e Gjykatës Evropiane të Auditorëve, Laima Andrikiene, si dhe me deputetin e Parlamentit Evropian, Thomas Waitz.



