Austria rikonfirmon përkrahjen për liberalizimin e vizave

29 janar 2019 | 16:12

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha ka takuar në Vjenë ministrin e BE-së, Artit, Kulturës dhe Medies së Austrisë, Gernot Blumel, me të cilin ka diskutuar për procesin integrues të Kosovës dhe në veçanti rëndësinë e vendimit për liberalizimin e vizave nga BE-ja pas plotësimit të të gjitha kritereve.

Hoxha ka theksuar se mbështetja e Austrisë është tejet e rëndësishme për Kosovën dhe institucionet e saj.

“Ne kemi dëshmuar përkushtimin tonë se duam të zbatojmë reformat, MSA-në, fuqizimin e sundimit të ligjit dhe ngritjen e cilësisë së jetës së qytetarëve tanë. Ne kemi nevojë për përkrahjen e procesit integrues si dhe integrimin në organizatat ndërkombëtare, por në veçanti kemi nevojë që BE të mbajë fjalën e dhënë e të mos mbajë të izoluar qytetaret tanë”, ka thënë Hoxha, duke kërkuar serish përkrahjen e Austrisë për procesin e vendimmarrjes për liberalizimin e vizave.

Ndërsa ministri austriak, Gernot Blumel, ka vënë në dukje përkrahjen e Austrisë për procesin integrues. Ai e ka rikonfirmuar përkushtimin e Austrisë për liberalizimin e vizave për kosovarët, zgjerimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor, ku Kosova trajtohet e barabartë me vendet tjera në rajon.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në fillim të…