Autoriteti i Konkurrencës nis hetimet për dy ndërmarrje në Kosovë: “Elektra” dhe “AE Holding”

15 mars 2024 | 22:26

Autoriteti i Konkurrencës i Republikës së Kosovës (AKRK), njofton opinionin se, në bazë të Konkluzionit të Sekretariatit të AKRK-së ka filluar procedurën hetimore sipas detyrës zyrtare (ex officio) ndaj ndërmarrjes “Elektra” me emër tregtar “Elektra” Telkos SH.P.K dhe “AE Holding” L.L.C., me emër tregtar Telkos. Hetimet ndaj ndërmarrjes “Elektra” kanë filluar për shkak të dyshimit të arsyeshëm se e njejta ka realizuar shitblerjen e aksioneve të ndërmarrjes “Fiberlink SH.P.K”, kurse ndërmarrja “AE Holding” ka realizuar shitblerjen e aksioneve “Kumanova Cable SH.P.K”, pa e paraqitur fare kërkesën për lejimin e përqendrimit në Autoritetin e Konkurrencës.

Vendimi për fillimin e hetimeve ndaj këtyre ndërmarrjeve është marrë më datë 13.03.2024, në Mbledhjen e Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës të Republikës së Kosovës.

AKRK, njofton se ka filluar monitorimin e tregut, duke u bazuar në shkrimet e botuara në mediat elektronike, rrjete sociale. Prandaj, Autoriteti pas mbledhjes së informatave lidhur me dyshimet për transaksionet e realizuara, rrjedhimisht blerjes së aksioneve apo fitimit të kontrollit mbi ndërmarrjet tjera në tregun përkatës, për të cilat dyshohet se përmbushin detyrimin për paraqitje të Njoftimit të Përqendrimit.

Në bazë të Ligjit Nr.08/L-056 për Mbrojtjen e Konkurrencës më saktësisht nenit 11 dhe 13 ndërmarrjet janë të obliguara që çdo realizim të përqendrimit të ndërmarrjeve, pjesëmarrësit e përqendrimit janë të detyruara ta njoftojnë Autoritetin, kur të plotësohen kushtet e përcaktuara. Shprehimisht ndalohen përqendrimet që mund të shtrembërojnë ndjeshëm konkurrencën, veçanërisht nëse përqendrimi ka si pasojë krijimin ose forcimin e pozitës dominuese, që nënkupton se lëndët e caktuara duhet t’i nënshtrohen paraprakisht vlerësimit të Autoritetit të Konkurrencës.

Autoriteti njofton se, fillimi i procedurës për hetimin e këtyre ndërmarrjeve, ka për qëllim sqarimin e fakteve dhe në këtë mënyrë vërtetimin e shkeljeve të pretenduara. AKRK do të marrë vendimin e saj meritor bazuar në faktet e vërtetuara të rastit dhe do të mbaj të informuar opinionin dhe qytetarët.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka reaguar pas…