Avdullah Hoti godet lidershipin e LDK-së: “Kështu është kur ngarendemi pas posteve”
Avdullah Hoti e ka kritikuar ashpër ish-opozitën parlamentare për, siç ka thënë ai, ngarendjen rreth “kapjes së posteve shtetërore”.
Fjalët e ish-deputetit aludohet të jenë drejtuar ndaj lidershipit të partisë së tij, Lidhjes Demkratike të Kosovës, të cilët menjëherë pas humbjes në zgjedhje instituan në kandidaturën për presidente të Vjosa Osmanit, bartëses së listës së LDK-së në zgjedhje.
Në një postim në Facebook të enjten, ish-kryeministri Hoti ka thënë se opozita do duhej të ndërtonte aktivitetin e saj rreth kauzave dhe interesit shtetëror. Një prej kauzave më të rëndësishme, sipas tij, është çështja e gazit amerikan.
“Nëse ekziston kauzë për të cilën duhet dalë në rrugë në protesta demokratike deri në largimin e kësaj qeverie është ky projekt i gazit”, tha Hoti. “Nuk bëhet fjalë për një projekt të zakonshëm ekonomik, por për orientimin gjeopolitik të Kosovës, për sigurinë energjetike dhe për aleancën tonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
Sipas Hotit, heshtja përballë një dëmi të tillë “nuk është neutralitet – është bashkëfajësi”.
Hoti, kritikat i drejtoi te udhëheqësit e opozitës të cilët, argumentoi ai, janë të organizuar më shumë rreth kapjes së privilegjeve shtetërore, sesa ndaj kauzave dhe interesit shtetëror.
“Por kur i gjithë aktiviteti opozitar organizohet rreth kapjes së posteve shtetërore, e jo rreth kauzave dhe interesit shtetëror, atëherë rezultati i zgjedhjeve është ky që e pamë të dielën e kaluar – rezultat që përpikëri reflekton politikën pa kauzë shtetërore, pa vizion dhe pa guxim”, tha njëri nga kandidatët më të votuar në listën e LDK-së.
Deklarata e plotë e Hotit:
Pse Kurti e refuzon projektin e gazit amerikan, në situatën kur të gjitha vendet e rajonit po përfshihen në këtë projekt strategjik për të dalë nga sfera e ndikimit rus?
Pse Kurti nuk ka bërë absolutisht asgjë në gjashtë vite të qeverisjes së tij sa i përket ndërtimit të kapaciteteve të reja energjetike?
Kujt i intereson që Kosova të vijojë të jetë e varur nga importi i energjisë?
Këto besoj se janë pyetjet thelbësore për secilin politikan dhe secilin qytetar.
Është për keqardhje të shohësh sa me lehtësi e tejkalojnë këtë temë disa opozitarë, të cilët mjaftohen me përdorimin e saj vetëm në kohë zgjedhjesh.
Nëse ekziston kauzë për të cilën duhet dalë në rrugë në protesta demokratike deri në largimin e kësaj qeverie është ky projekt i gazit.
Nuk bëhet fjalë për një projekt të zakonshëm ekonomik, por për orientimin gjeopolitik të Kosovës, për sigurinë energjetike dhe për aleancën tonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Heshtja përballë një dëmi të tillë nuk është neutralitet – është bashkëfajësi.
Kauzë për të protestuar deri në largimin e qeverisë ka qenë gjithashtu edhe suspendimi i Kosovës nga stërvitja ushtarake “Defender Europe ‘23” në vitin 2023, si dhe pezullimi i dialogut strategjik Kosovë-SHBA në shtator 2025.
Por kur i gjithë aktiviteti opozitar organizohet rreth kapjes së posteve shtetërore, e jo rreth kauzave dhe interesit shtetëror, atëherë rezultati i zgjedhjeve është ky që e pamë të dielën e kaluar – rezultat që përpikëri reflekton politikën pa kauzë shtetërore, pa vizion dhe pa guxim.



