Avdullah Hoti tregon se kur do të arrihet marrëveshja LDK-LV

29 tetor 2019 | 16:55

Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti është shprehur i bindur se do të përmbyllin marrëveshjen për qeverisje me Lëvizjen Vetëvendosje sapo të certifikohen rezultatet e zgjedhjeve nga KQZ-ja.

Ai përmes një shkrimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka bërë me dije se nuk ka zvarritje në arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje mes LDK-së dhe LV-së.

“Nuk ka zvarritje në arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje në mes të LDK-së dhe LV-së. Qytetarët më 6 tetor kanë kërkuar ndryshim, duke votuar dy partitë opozitare pothuajse njëjtë, të cilat së bashku arrijnë mbi 50% të mandateve në Kuvend, të mjaftueshme për ta formuar qeverinë e re. Jemi duke punuar për të dakorduar një program qeverisës që reflekton këtë vullnet të qytetarëve”, ka shkruar ai.

Hoti ka thënë se deri më tani janë pajtuar për madhësinë dhe organizimin e Qeverisë, e cila sipas tij, do të ketë vetëm 12 ministri që do të kursejë miliona euro dhe do të rrisë efikasitetin e qeverisjes.

“Kemi diskutuar në detale programin për zhvillim ekonomik dhe punësim dhe jemi pajtuar për shumicën e çështjeve. Ne takimet në ditët në vijim vazhdojmë diskutimet për rendin, ligjin dhe sigurinë, për arsim e shëndetësi, pastaj për politiken e jashtme. Jam i bindur se mund ta përmbyllim marrëveshjen sapo të certifikohen rezultatet e zgjedhjeve. Pastaj, nuk do të humbim kohë në themelimin e institucioneve të reja”, ka treguar Hoti.

Ai ka thënë se të gjitha këto diskutime janë duke i mbajtur në mënyrë transparente sa i përket temave dhe personave që po i zhvillojnë diskutimet.

Sipas Hotit, një praktikë e tillë e pazbatuar më parë në skenën politike.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dega e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Ferizaj ka…