Avionë të Kinës sërish detektohen mbi Tajvan

24 dhjetor 2023 | 11:41

Ministria e Mbrojtjes së Tajvanit tha më 24 dhjetor se në 24 orët e fundit ka detektuar tetë avionë luftarakë kinezë mbi vijën në Ngushticën e Tajvanit, si dhe një balonë kineze.

Tajvani, që Kina thotë se është pjesë e territorit të saj, vazhdimisht është ankuar për aktivitetin ushtarak kinez përreth ishullit në katër vjetët e fundit.

Kina ka intensifikuar misionet e saj afër Tajvanit, përderisa zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të 13 janarit në Tajvan po afrohen.

Ministria e Mbrojtjes së Tajvanit tha se avionët luftarakë kinezë të llojeve J-10, J-11 dhe J-16 kanë kaluar vijën në pjesën veriore dhe qendrore të Ngushticës.

Vija në këtë Ngushticë ka shërbyer si barrierë jozyrtare midis dy palëve, por avionët kinezë tani rregullisht fluturojnë mbi të.

Ministria tajvaneze tha se ka dërguar forcat e saj për të monitoruar situatën.

Ministria e Mbrojtjes po ashtu raportoi se ka detektuar një balonë kineze. Edhe në të kaluarën, Tajvani ka detektuar balona të tilla, por ishulli vetëqeverisës ka thënë se balona të tilla ka të ngjarë që janë për të monitoruar motin dhe devijojnë fluturimin e tyre për shkak të erërave që fryjnë në këtë periudhë të vitit.

Tajvani tha se balona e fundit u detektua duke kaluar vijën në Ngushticën e Tajvanit mëngjesin e së shtunës, në pjesën veriperëndimore të qytetit-port të Kilungut dhe ishte në një lartësi prej 6.100 metrash.
Balona më pas vazhdoi fluturimin drejt lindjes dhe u zhduk pas rreth një ore, shtoi ministria.

Mundësia që Kina të përdorë balonat për spiunazh u shndërruan në çështje globale në shkurt, kur Shtetet e Bashkuara rrëzuan atë që e cilësuan si balonë kineze të vëzhgimit. Kina tha se balona ishte një fluturake civile dhe se aksidentalisht kishte devijuar rrugën e fluturimit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deri në dy orë janë pritjet te pika kufitare Dheu…