Avokati Berisha: Krim s’ka bërë Haki Rugova, por Prokuroria

11 tetor 2020 | 13:54

Besnik Berisha, avokati i kryetarit të Komunës së Istogut, Haki Rugovës, pas seancës dëgjimore në Gjykatën Themelore të Pejës, që zgjati tri orë ndaj të mbrojturit të ti, ka thënë se Rugova është duke u persekutuar nga Prokuroria dhe se dëmi që po i shkaktohet atij është i pariparueshëm.

“Lajmi i parë është se zotëri Rugova shkon në shtëpi dhe një fjali që gjithë procedurës e kam shqiptuar është se, krim nuk ka bërë Hakia por Prokuroria. Po e nënvizoj, krimi nuk është bërë nga zotëri Haki Rugova, por arrestimi i tij është krejtësisht i kundërligjshëm, arbitrar dhe i motivuar për gjithçka tjetër, përveç për shkaqe ligjore”, ka deklaruar avokati Berisha para gazetarëve, derisa gjykatësi i procedurës paraprake, ende nuk ka marrë një vendim lidhur me masën ndaj Haki Rugovës dhe dy zyrtarëve të tjerë të Komunës së Istogut, të arrestur të premten.

Ai e ka akuzuar Prokurorinë për “fakte të falsifikuara”.

“Prokuroria në momentin kur i ka dorëzuar dokumentet e tyre të cilat përmbanin fakte të falsifikuara, e nënvizoj, fakte të falsifikuara, ata e kanë ulur kokën dhe janë në pritje të një vendimi, po të ketë drejtësi, zotëri Rugova do të kthehet në shtëpi, kthehet te qytetarët e tij që do t’ju shërbej dhe duhet t’ju shërbej me ndershmëri”, ka thënë Berisha.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës kanë mbajtur konferencë për…