Avokati Emmerson kërkon të merren masa ndaj Prokurorisë së Speciales

14 shtator 2021 | 16:40

Është duke u zhvilluar konferenca mbi ecurinë e çështjes kundër ish-krerëve të UÇK-së.

Me këtë rast pati një konfrontim fjalësh në mes të avokatit mbrojtës i ish-kreut të UÇK-së, Kadri Veseli, Ben Emmerson dhe prokurores së Speciales.

Emmerson e ka quajtur të pandershme Prokurorinë Speciale lidhur me nxjerrën e sasisë së saktë materialeve para 27 shtatorit kur është edhe afati i fundit. Pas kësaj, gjyqtari i procedurës paraprake Nicolas Guillou i ka tërhequr vërejtjen avokatit të Veselit për gjuhën e përdorur.

Kësisoj pati reagim edhe nga ana e gjykatësit i cili ka kërkuar nga avokati që të mos i ndërpresë fjalën prokurores, teksa më pas ka kaluar fjalën tek avokati mbrojtës.

“Nuk e kam shifrën e saktë të dokumenteve por nuk është numër i madh, nuk bëhet fjalë për materiale të mbetura për të ju dhënë një numër të përafërt, sa u përpoqa besoj që bëhet fjalë për deklarata të mëparshme për 15 dëshmitarë dhe këto kanë qenë objekt i masave për ndryshimin e masave dhe presim që t’i dorëzojmë para afatit të paraparë. Nxjerrja e materialeve është bërë në vazhdimësi sikurse u shpjegua në konferencën e fundit, kishte shumë faktorë në kohën e nxjerrjes së atyre materialeve, në bazë të kërkesës për nënkategorizim u deshtë që disa materiale që u nxorën të kontrollohen. Për fat të keq nuk mund të jem e saktë sepse nuk kemi marrë materiale për ato që kemi kërkuar por s’e dimë sasinë e materialeve. Pjesa më e madhe e stafit punojnë nga distanca shkaku i pandemisë dhe s’kanë qasje në databazat e provave”, ka thënë prokurorja e Prokurorisë Speciale.

Ndërsa avokati Emmerson e ka quajtur Prokurorinë e Gjykatës Speciale si joprofesionale dhe të pandershme.

“Ky është një shembull tjetër se si sillet prokuroria, unë kërkova të më kërkojnë falje për atë se si e kanë përfaqësuar çështjen e tyre por këtë nuk e mora. Të gjithë që na shohin se nuk ka asgjë konstante për punën e prokurorisë, sikur të ishte ashtu do të ishim të gatshëm për gjyq. Kemi materiale që nuk e dimë sasinë e saktë, dhe ata e dinë se nuk mund të nxjerrin para afatit të paraparë. Ky material duhet të përkthehet në anglisht sepse prokuroria s’flet shqip, por ky është nivel i joprofesionalizmit për këtë prokurori të pandershme. Kemi të bëjmë me një prokurori që s’ka kredibilitet në aspektin e parashikimeve për fillimin e gjykimit”, ka thënë Emmersoni.

Me këtë rast gjyqtari Nicolas Guillou, ka kërkuar nga avokati Emmerson të ketë kujdes në të shprehur.

“Ju lutem mos ju drejtoni ashtu prokurores sepse s’është e rrugës të veproni kështu zoti Emerson”, ka thënë ai.

Më tutje, avokati Emmerson, ka thënë se po ballafaqohen me një sjellje joprofesionale nga ana e Prokurorisë Speciale. Në këtë kontekst, ai ka thënë se duhen të merren masa ndaj Prokurorisë së Gjykatës Speciale.

“Kemi një shprehje në anglisht për njerëzit që përdorin fjalët e pashkruara dhe kjo është e dukshme. Thotë se s’kam ide se për çfarë volumi materialesh bëhet fjalë që duhet të dorëzohen dhe ne nuk e dimë aspak në këtë moment se kur mund të fillojë gjykimi dhe kur çështja do të jetë e gatshme për gjykim. Do të flas pak më vonë për mbrojtjen, por momentalisht mund të them se po ballafaqohemi me një sjellje joprofesionale të prokurorisë dhe diçka duhet të bëhet masat duhet të merren”, ka thënë ai.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Skuadra e Ballkanit ka hedhur poshtë zërat se ish-sulmuesi i…