Avokati i Popullit për rastin Arlinda Zekaj: Ka dështim të shtetit
Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka thënë se Kosova ka nevojë për një diskutim në nivel nacional, me qëllim që barazia gjinore, dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje të trajtohen si çështje me interes nacional.
Këto komente ai i ka bërë gjatë një takimi të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore dhe Peticione, ku është diskutuar edhe për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës.
Qelaj ka thënë se rasti i Arlindës ka nxjerrë në pah mundësinë e dështimeve institucionale në parandalimin e rasteve të tilla, raporton “KosovaPress”.
“Shihni rastin e fundit, ndërhyjnë familjarë që nuk kanë të drejta pronësore dhe vjen deri te një rast tragjik, natyrisht me dështimin e shtetit, nëse konstatohet që ka pasur dështime, e po shihet se mund të ketë pasur dështime. Një prej qëndrimeve të mia dhe rekomandimeve që e kam dhënë është se Kosova ka nevojë për një diskutim në nivel nacional për të vendosur barazinë gjinore, dhunën ndaj grave dhe dhunën në familje si interes nacional dhe jo të diskutohet vetëm në nivel të rasteve të izoluara. Për këtë besoj jemi vonë, por më mirë të fillojmë tash. Rastin e fundit e kemi hapur për hetim. Ekzistojnë një numër i madh i mekanizmave ku adresohen, e keni parë se ku e ndjera është adresuar, është adresuar në polici, prokurori, Qendrën për Punë Sociale, te Mbrojtësi i Viktimave e te shumë mekanizma që duhet të reagojnë, duke e përfshirë këtu edhe nivelin lokal, pra edhe Komuna e Pejës është e përfshirë”, ka deklaruar Qelaj.
Gjatë takimit, Qelaj ka ndarë edhe një rast tjetër të ndjeshëm, i cili, sipas tij, mund të përfundojë me pasoja fatale për një grua që ka kërkuar mbështetje institucionale, por nuk i është ofruar ndihmë me arsyetimin se nuk kishte bazë ligjore.
“Unë sot dua ta ndaj me ju një shqetësim. Kam menduar shumë nëse duhet ta diskutoj publikisht apo jo, sepse është rast shumë i ndjeshëm, por ne dje dhe javën e kaluar kemi pranuar një rast shumë të ndjeshëm nga një komunë e Kosovës, në lidhje me një viktimë, e cila ka kërkuar mbështetje nga komuna, por nuk i është ofruar me arsyetimin se nuk ka bazë ligjore. Ne kemi pasur një paralajmërim nga ajo se mund të ketë pasoja të rënda. Unë nuk e di sa keni interes ju si komision, por më vonë mund t’ju shpërndaj informata”, ka thënë Qelaj.
Arlinda Zekaj është vrarë të dielën nga kunati i saj në Vitomiricë të Pejës. Vrasja e saj është dënuar nga qytetarët dhe institucionet, ndërsa prej disa ditësh janë mbajtur protesta në qytete të ndryshme të vendit.
Lidhur me rastin, sot ka dhënë dorëheqje drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha. Ndërkaq, një ditë më parë janë suspenduar kryeprokurorja në Pejë, Lumturie Vuçetaj, prokurorja Arlinda Nallbani-Gacaferri dhe 11 zyrtarë policorë.



