Avokati i Popullit: Vendimi i ZRRE-së për pagesën e rrymës në veri është diskriminues
Avokati i Popullit vlerëson se mbetet shqetësuese mbrojtja e të drejtave në punë, dhe sipas tij raste të tilla përbëjnë 12 për qind të numrit të ankesave që janë dorëzuar në këtë institucion gjatë këtij viti.
Drejtuesi i këtij institucioni Naim Qelaj thotë se qytetarët në Kosovë vazhdojnë të përballen me zvarritje të procedurave gjyqësore.
Avokati i Popullit ka bërë me dije se gjatë këtij viti ka pranuar 1 mijë e 536 ankesa, raste këto në të cilat janë të përfshirë 2 mijë e 387 persona të cilët pretendojnë se u janë shkelur të drejtat e tyre.
Në një konferencë për media, Qelaj thotë vazhdojnë ta konsiderojnë diskriminues vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për pagesën e rrymës në veri.
Ndërsa lidhur me krizën energjetike në vend dhe vendimi ne qeverisë për mbështetje të KEK-ut, ai thotë se ende nuk kanë ndonjë qëndrim veçse thekson se nëse konstatojnë që ka shkelje të të drejtave të njeriut do të reagojnë.
Ndërsa nga ankesat e paraqitura nga qytetarët, 665 raste janë hapur për hetim dhe në këtë numër përshihen edhe 44 raste të hapura sipas detyrës zyrtare dhe 12 raste të cilat janë hapur pas raportimit të medieve.



