Avokati i të dyshuarit për rastin në Gjilan: Klienti im nuk e pranon veprën penale
Avokati i B. Demirit, Granit Syla, ka deklaruar se klienti i tij nuk e pranon veprën penale për të cilën dyshohet në rastin ku të dielën, në Gjilan, u gjetën pa shenja jete djali dhe mbesa e tij.
Në një përgjigje për “Klan Kosovën”, Syla ka bërë të ditur se ka marrë pjesë në seancën dëgjimore për caktimin e masës së paraburgimit, pasi Prokuroria Themelore në Gjilan kishte paraqitur kërkesë për caktimin e kësaj mase ndaj Demirit.
Sipas avokatit, i dyshuari është deklaruar se nuk është kryerës i veprës penale për të cilën dyshohet, transmeton “Klankosova.tv”.
Ai ka bërë të ditur se, deri në momentin e deklarimit, mbrojtja nuk e kishte pranuar ende vendimin e gjykatës lidhur me kërkesën për paraburgim.
Syla ka theksuar se, pas pranimit të vendimit, mbrojtja do ta vlerësojë atë dhe do të vendosë për hapat e mëtejshëm proceduralë, në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale.
“Për detaje të tjera, duke qenë se rasti është në fazën e hetimeve, varësisht nga rrjedha e procedurës mund të deklarohemi”, ka thënë avokati.
Rasti ka ndodhur më 1 nëntor në fshatin Demiraj të Gjilanit, ku janë gjetur pa shenja jete një 27-vjeçar dhe vajza e tij tre muajshe. Hetimet po zhvillohen nën dyshimin për vrasje të rëndë.



