Kurti: Afrimi dhe Fahriu punuan e luftuan për çlirimin e Kosovës

02 nëntor 2026 | 16:32

Kryeministri Albin Kurti, së bashku me presidenten Justina Shiroka-Pula, ka bërë homazhe te varret e dëshmorëve Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, në 37-vjetorin e rënies së tyre.

Në një postim në “Facebook”, Kurti ka kujtuar sakrificën e dy veprimtarëve, të cilët kanë rënë në vitin 1989, gjatë një përballjeje të armatosur me forcat serbo-jugosllave.

“Në vitin 1989 i kishim Afrimin e Fahriun, e pesë vjet para tyre, në mes të viteve të 80-ta, e kishim Rexhep Malën e Nuhi Berishën. Ishin këto përballje në të cilat rënia heroike e veprimtarëve intelektualë dhe patriotëve idealistë, bëhej ngritje e vetëdijes dhe e organizimit të shqiptarëve. Ishte kjo dekada kur shqiptarët nën ish-Jugosllavi, përbënin 1/8 e popullsisë së gjithmbarshme, por rreth 80 për qind të të gjithë ish të burgosurve politikë ishin shqiptarë”, ka shkruar Kurti.

Sipas tij, Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu kanë punuar dhe luftuar për çlirimin e Kosovës, lirinë e popullit dhe përparimin e tij.

Kryeministri ka theksuar se përkushtimi ndaj idealeve të dëshmorëve vazhdon përmes forcimit të shtetit, ruajtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial, zhvillimit ekonomik dhe shërbimit ndaj qytetarëve.

“Duke lartësuar Republikën dhe kombin tonë, duke mbrojtur integritetin territorial, duke ruajtur sovranitetin shtetëror, duke rritur ekonominë dhe forcuar ushtrinë, duke ju shërbyer qytetarëve e shoqërisë, ne ju përmbahemi idealeve të dëshmorëve të kombit”, ka shkruar Kurti.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Avokati i B. Demirit, Granit Syla, ka deklaruar se klienti…