Avokati i Thaçit e fiton betejën në Gjykatën Speciale përballë ZPS-së

07 qershor 2023 | 12:05

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) në Hagë ka humbur betejën përballë avokatit Dastid Pallaska, i cili është pjesë e ekipit mbrojtës të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Kreu i trupit gjykues në rastin e liderëve të UÇK-së, Charles L. Smith ka marrë vendim për të refuzuar kërkesën e prokurorisë për t’ia tërhequr vëmendjen Pallaskës për deklarimet e bëra në televizionin publik të Kosovës.

Paneli i gjyqtarëve në pikën 17 të vendimit, ka hedhur poshtë të gjitha pretendimet e prokurorisë kundër avokatit Pallaska, duke konstatuar se deklaratat e avokatit në “RTK” nuk përbënin përpjekje për të mashtruar publikun me vetëdije apo për të ndikuar në vendimet e Panelit, nuk ka zbuluar ndonjë informacion konfidencial, dhe konstatojnë se Prokuroria Speciale e Hagës ka dështuar të demonstrojë se “vërejtja” ndaj avokatit është e nevojshme në rrethanat e rastit.

Gjithashtu, Paneli i gjyqtarëve ka potencuar kërkesa e Prokurorisë për “vërejtje” do të ishte ndërhyrje në të drejtën e avokatit Pallaska për të pasur lirinë e fjalës. “Për këto arsye, Paneli refuzon kërkesën e PSP-së që z. Pallaska të paralajmërohet”, thuhet në pikën 17 të vendimit.

Dy javë më parë ekipi mbrojtës i ish-presidentit Hashim Thaçi i ishte kundërpërgjigjur pretendimet të Prokurorisë Speciale, duke akuzua prokurorinë se i kanë manipuluar dhe keqinterpretuar deklaratat e avokatit Pallaska në “RTK”. Gjithashtu, mbrojtja e Thaçit kishte konstatuar se kërkesa e ZPS-së për t’ia tërhequr vërejtjen avokatit Pallaska bazohet në keqinterpretime që ia kanë bërë komenteve publike të avokatit Pallaska. “Kërkesa bazohet në keqinterpretime të komenteve të z. Pallaska” ishte thënë në përgjigjen  avokatëve të bërë para dy javësh. Avokatët kishin thënë se Zyra e Prokurorit të Specializuar “përmes përdorimit të elipsave, ka manipuluar deklaratat e z. Pallaska për të prodhuar një pretendim se z. Pallaska po e akuzon publikisht Prokurorinë se po propagandon të pavërteta, për ta etiketuar Kosovën si shtet kriminal”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ana Kabashi arrin të jetë pjesë e faqeve rozë sa…