Avokati i Veselit, kërkesë gjykatësit: Urdhëroje prokurorinë që dosjen paraprake ta dorëzojë deri më 31 tetor

11 tetor 2021 | 16:54

Avokati i Kadri Veselit në Hagë, Ben Emmerson, ka kërkuar nga gjyqtari i procedurës paraprake që t’i jap urdhër Prokurorisë së Gjykatës Speciale që dosja paraprake të dorëzohet jo më larg se më 31 tetor.

Insistimi i avokatit të Kadri Veselit, Ben Emmerson në seancën e kaluar në Speciale kishte ndikuar që gjyqtari paraprak, Nicollas Guillou ta njoftojë prokurorin special se do të jap urdhër të prerë për caktimin e një date kur edhe do të dorëzohet dosja paraprake.

Kjo pasi Emmersoni ia kishte përmendur gjykatësit faktin se ZPS-ja ishte treguar e pasaktë në parashikimet e saja për datën e nisjes së gjykimit ndaj krerëve të UÇK-së, duke vonuar kështu tej mase çështjen, ndërsa që liderët e UÇK-së po vazhdojnë të jenë në paraburgim.

“Duke pasur parasysh se data e konferencës së radhës është së shpejti, më 29 tetor, mbrojtja me respekt kërkon që gjyqtari i procedurës paraprake të lëshojë sa më shpejt një urdhër ndaj ZPS-së që të dorëzojë dosjen paraprake deri më 31 tetor”, është thënë në kërkesën e Emmersonit.

Emmersoni si argument ka përmendur gatishmërinë e gjyqtarit që të jap urdhër për dosjen paraprake, të cilën e kishte shprehur në konferencën e kaluar statutore.

“Në konferencën e fundit të Statusit, të mbajtur më 14 shtator 2021, gjyqtari i procedurës paraprake konfirmoi synimin e tij për të caktuar një afat për Përmbledhjen Paraprake të ZPS-së, më së voni në konferencën e ardhshme të Statusit. Gjyqtari i procedurës paraprake i kujtoi ZPS-së se kishte kaluar pothuajse një vit para-gjykimi dhe nbrojtja nuk mund të priste më”, është thënë në parashtresën e avokatit Emmerson.

Vlen të përmendet se gjykatësi paraprak i ka dhënë urdhër Policisë së Kosovës që të dërgojë përgjigje të detajizuar nëse mund të ofrojë garanci për lirimin e ish-krerëve të UÇK-së.

Ky vendim i gjykatës vjen pasi që drejtori i policisë, Samedin Mehmeti, paraprakisht nuk kishte dhënë garanci të mjaftueshme për lirimin e krerëve të UÇK-së. Megjithatë, Paneli i Apelit kishte konstatuar se Gjykatësi Paraprak ishte dashur të kërkojë detaje shtesë nga Policia e Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sulmuesi Vedat Muriqi ka folur në konferencë për shtyp para…