Avokatja e Thaçit: Detyrojeni dëshmitarin që të përgjigjet ose dëshmia e tij të mos merret parasysh
Avokatja e Hashim Thaçit, Sophie Menegon, ka kërkuar që dëshmitari Koen Herlaar të detyrohet që t’iu përgjigjet të gjitha pyetjeve ose dëshmia e tij të mos merret parasysh në gjykimin ndaj klientit të saj dhe Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit për vepra penale kundër administrimit të drejtësie.
Një pjesë e konsiderueshme e seancës së sotme ku është dëgjuar dëshmia e ekspertit të kriminalistikës ishte private, dhe sapo trupi gjykues dhe palët janë kthyer nga pushimi, Menegon ka paraqitur kundërshtimin e saj, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ajo ka thënë se ka një kundërshtim lidhur me refuzimin e dëshmitarit për t’iu përgjigjur pyetjeve për shkak të konfidencialitetit .
“Sipas nesh, nuk është dhënë asnjë bazë ligjore për këtë lloj refuzimi dhe sa i takon interpretimit të Rregullës 107, unë e di që në çështjen 6, ZPS-ja dhe ekipi i Thaçit kanë kontaktuar punonjës të Qeverisë Amerikane dhe Kumbeve të Bashkuara dhe kanë bërë kërkesën sipas Rregullës 107 që dëshmitarët të mos detyroheshin që të jepnin përgjigje kur informacioni ishte konfidencial dhe këto masa i ka miratuar trupi gjykues”, ka thënë ajo.
Menegon ka thënë se vetëm mbi bazën ligjore siç u përmend me lart, lejohet që dëshmitarët të mos i përgjigjen pyetjeve.
“Gjithashtu, neni 58 i Ligji parashikon po ashtu se shtetet e treta dhe institucionet ndërkombëtare mund të bëjnë kërkesë për masa të nevojshme që të ndërmerren për mbrojtjen e nëpunësve civilë apo punonjësve të tyre për të mbrojtur informacionin konfidencial dhe kjo kërkesë duhet të ndjekë të gjithë hapat e nevojshme”, ka thënë ajo.
Sipas Menegon, ose Prokuroria do të duhej të bënte kërkesë sipas Rregullës 107 që parasheh marrjen e dëshmisë së dëshmitarëve me autorizim të ofruesit të informacionit, ose vetë Instituti i Kriminalistikës së Holandës të bënte kërkesë që të autorizohet dëshmitari që të mos i përgjigjet pyetjeve për shkak se duhet të mbrojë informacionin konfidencial.
Avokatja rrjedhimisht ka kërkuar që dëshmitari të detyrohet që të japë përgjigje ose dëshmia e tij të mos merret parasysh.
“Ne gjykojmë, që mbi këtë argument që bëra unë, të detyroni dëshmitarin që t’iu përgjigjet pyetjeve. Pra, ose dëshmitari t’iu përgjigjet të gjitha pyetjeve kur i bëjmë kundërpyetjet ose dëshmia e tij të mos merret parasysh”, ka thënë Menegon.
Më pas, pasi është kërkuar përditësim nga palët, mbrojtja e Kuçit dhe ajo e Fazliut, kanë thënë se nuk kanë pyetje për këtë dëshmitar.
Ndërsa me të vazhduar me pyetje mbrojtja e Bashkim Smakajt, seanca sërish ka kaluar në private./BetimipërDrejtësi/



