Azemi: Kurti rriti dy herë çmimin e energjisë, shkak shokët e tij

25 janar 2024 | 12:22

Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Visar Azemi, në një konferencë për medie ka thënë se faji i rritjes së madhe të çmimit të energjisë elektrike është i Qeverisë së Kosovës dhe shokëve të kryeministrit Albin Kurti.

Ai ka përmendur faturat e larta të energjisë elektrike, duke thënë se kjo është duke ndodhur për herë të dytë dhe se çmimi i energjisë elektrike është rritur dy herë gjatë mandatit të kësaj qeverie.

“Albin Kurti sa ishte në opozitë thoshte se qytetarët jetojnë mbi thëngjill dhe nuk është e drejtë të paguajnë kaq shtrenjtë energjinë elektrike”, ka thënë Azemi.

Më tutje, ai ka përmendur Martin Berishajn dhe Nagip Krasniqin.

“Blloku ‘A5’ i termocentralit ‘Kosova A’ ishte mbajtur jashtë funksionit për muaj të tërë, që ua mundësoi shokëve të Albin Kurtit, Martin Berishaj e Nagip Krasniqi që ta shesin energjinë elektrike me shuma të mëdha”, ka thënë Azemi, duke shtuar se kjo qeveri s’ka kapacitet dhe aftësi për të bërë më mirë

“Janë një grupacion i papërvojë që nuk kanë njohuri as për energji e as për diçka tjetër”, ka thënë Azemi.

Më tutje, ai ka përmendur programin e LDK-së, “Rruga e Re” si zgjidhje e problemeve në sektorin energjetik në Kosovë.

“Siç e kemi thënë edhe në programin tonë ‘Rruga e Re’, e shohim të pashmangshëm ndërtimin e centralit me gazin amerikan me kapacitet prej 500 megavatë. Gazimifikimi i Kosovës me gazin amerikan do të vijë nga Shkupi e do të shkojë deri në Mitrovicë”, ka thënë Azemi, duke e ftuar ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli në debat televiziv për të diskutuar për energjinë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Koreja e Veriut tha të enjten se ka testuar fluturimin…