Azemi: Presim që Kushtetuesja ta kthejë në pikën zero Ligjin për pagën minimale

31 korrik 2023 | 11:39

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka thënë se presin që Gjykata Kushtetuese ta kthejë në zero Ligjin për Pagën Minimale.

Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës, gjegjësisht Kuvendi nuk i ka përfillur katër kriteret kryesore që kanë të bëjnë me përpilimin e këtij ligji.

“Jemi të bindur qind për qind se Gjykata Kushtetuese, Ligjin mbi Pagën Minimale do ta kthejë në fazën zero, pasi Qeveria e Kosovës, gjegjësisht ajo që ka propozuar Kuvendi i Kosovës nuk i ka marrë pothuajse katër kriteret kryesore të cilat duhet të jenë pjesë përbërëse e pagës minimale”, ka thënë Azemi.

Më tutje, ai ka thënë se është anashkaluar edhe Komisioni për Buxhet dhe Financa, duke përmendur se ky komision kishte propozuar që për këtë vit paga minimale të jetë 450 euro, raporton “EO”.

“Në rend të parë nuk i ka propozimet apo nuk e ka vendimin nga Këshilli Ekonomik-Social, i cili është i obliguar që të japë propozimin e vetë. Është anashkaluar në rend të dytë, Komisioni për Buxhet dhe Financa. Ju e dini se ky komision i ka propozuar Kuvendit të Kosovës që paga minimale të jetë për vitin 2023 450 euro dhe për vitin 2024 të jetë 500 euro”.

Kujtojmë se shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, më 21 korrik e ka dorëzuar në Gjykatën Kushtuese kërkesën lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale.

Kuvendi i Kosovës e miratuar Ligjin për pagën minimale me 60 vota pro të deputetëve, një abstenim dhe asnjë votë kundër. Me anë të këtij ligji parashihet që paga minimale të bëhet 250 euro neto.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Edhe një tjetër legjendë e futbollit evropian e kryesisht La…