BAHRI FAZLIU – MENDJA KRYENGRITËSE E LËVIZJES KOMBËTARE

07 maj 2023 | 01:39

Shkruan: Myrvete Dreshaj – Baliu

Lëvizja kombëtare shqiptare ka trashëguar një spektër të gjerë personalitetesh në radhët e saj: heronj, martirë dhe bartës politikë e intelektualë të saj.

Me një fjalë, Lëvizja kombëtare në përgjithësi dhe Lëvizja Çlirimtare e Kosovës, një kohë të gjatë është bërë vetë praktikë e jetës, prej së cilës kanë dalë martirë të flijuar në pragun e shtëpisë, dëshmorë të rënë në luftë dhe heronj të lëvizjes politike dhe ushtarake të saj.

GZIMI

Bahri Fazliu, i njohur me pseudonimin Gzimi, i takon brezit më të ri të pjesëtarëve të lëvizjes çlirimtare në trojet e okupuara shqiptare. Ai ishte pjesëtar i kësaj lëvizjeje me një biografi jashtëzakonisht komplekse, sidomos për moshën që kishte, me një shkollë të pasur historike të lëvizjes që i takonte, me një trashëgimi familjare të ndritur, prej së cilës ishte rritur dhe me një rreth politik shumë të angazhuar, brenda të cilit ishte formuar.

Ai i takon atyre pjesëtarëve të lëvizjes që proceset politike të popullit shqiptar, respektivisht angazhimin në Lëvizjen Çlirimtare të Kosovës, i shihte në mënyrë të ndërthurur.

Ndonëse i në një moshe shumë të re, ai për disa vjet me radhë, ka bërë një aktivitet shumë të dendur, edhe pse pjesën më të madhe e ka bërë në ilegalitet.
Në rrethana të këtilla ilegaliteti, i përcjell si individ dhe si familje (le të kujtojmë edhe njëherë se Bahriu ishte vëllai i Fahri Fazliut, i cili bashkë me Afrim Zhitin u vranë në luftë me UDB-në, më 1989), bëri një jetë të organizuar deri në nivel të udhëheqësit të LKÇK-së, kryeredaktorit të gazetës ilegale “Çlirimi” dhe njërit prej themeluesve të bërthamave të para ushtarake të UÇK-së.

ANALISTI I ILEGALES

Në kohën e angazhimit politik të Bahri Fazliut, bëheshin shumë komente e analiza ndër gazeta tona të përditshme e të përkohshme, nga personalitete partiake e politike, por në pjesën më të madhe ato shkruheshin nga komoditeti i zyrave të autorëve të tyre. Në këtë kohë, pra ndërmjet viteve 1993-1998, komente, vështrime, analiza, deklarata politike si përfaqësues i një partie politike, do të shkruajë edhe Bahri Fazliu, por ndryshe nga të tjerët, ai të gjitha ato i shkruante në ilegalitetin e thellë. Artikujt e tij, Bahri Fazliu i shkruante në emër të një partie, e cila përcillej rreptësisht dhe anëtarët e saj arrestoheshin çdo ditë, dhe më në fund, të gjitha ato ai i shkruante dhe i botonte në një gazetë ilegale, leximi i së cilës ishte i dënuar, ashtu sikur mund të dënoheshin ata që kishin në shtëpi ndonjë armë. Le të na lejohet, prandaj, të themi se gazeta “Çlirimi” për një kohë të gjatë ishte një prej armëve më të forta që lëvizja kombëtare i dha popullit shqiptar në prag të fillimit të luftës së armatosur për çlirimin e Kosovës. E të gjitha këto mund t’i bënte vetëm njeriu, i cili për çështjen kombëtare, që nga rinia e hershme ishte betuar për jetë a vdekje.

TRI KONCEPTET ANALITIKE TË TIJ

Nëse iu referohemi artikujve të tij në kontekstin kronologjik të shkrimit, do të vëmë re se ato ju takojnë tri mënyrave të qasjes ndaj aktualitetit politik dhe bartësve të brendshëm e të jashtëm të saj.
Para se të merremi me tri aspekteve të trajtimit historik, social e politik të shoqërisë shqiptare në përgjithësi dhe Kosovës në veçanti, më duket e natyrshme që të konstatojmë një kufi të theksuar të teksteve analitike të tij me tekstet politike të paraardhësve të tij. Dhe ky kufi ka të bëjë me një ndarje nga historia si mbështetje themelore në trajtimin e temave politike. Një kufi, të cilin nuk e kishite tejkaluar, bie fjala Rexhep Mala, Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka etj., tash Bahri Fazliu, përveç në fillimet e saj dhe në kontekst të ndonjë krahasimi nuk e vë më në sprovë. Thjesht, Bahri Fazliu nuk e shihte të arsyeshme të merrej me historinë, as si nxitje për të shkuar përpara, as si trampolinë për të arsyetuar gjendjen e kohës së tij.

KRYENGRITJA E ARMATOSUR

Në fazën e parë ai u mor aktivisht me arsyetimin e domosdoshmërisë së një kryengritjeje të armatosur, si kusht për çlirimin kombëtar, ide kjo të cilën, sikur shkruante Bahri Fazliu nuk duhet hedhur si parullë, por si nevojë për t’u përgatitur në aspektin politik, organizativ dhe ushtarak. Përndryshe, tërhiqte vërejtjen ai, “të hedhësh parullën për një kryengritje të armatosur është ekstremizëm, ashtu siç është ekstremizëm edhe qëndrimi duarkryq”. Po në këtë kohë, parashikoi me mprehtësi prej analisti largpamës edhe rreziqet me të cilat mund të përballej populli shqiptar nëse do të vazhdojë që të presë duarlidhur, ashtu sikur priti populli boshnjak, në vend se të vlerësonte dhe vepronte ashtu siç veproi populli kroat. Në këtë kontekst, ai bëri pasqyrën më të plotë të lëvizjes pacifiste, lëvizjes së ashtuquajtur aktive dhe përparësisë së një lëvizjeje të armatosur.

PACIFIZMI

Sipas Bahri Fazliut, në Kosovë kishte tri koncepte politike rreth zgjidhjes së çështjes shqiptare në përgjithësi dhe çështjes së Kosovës në veçanti: Koncepti pacifist i atyre që presin t’i çlirojnë nga jashtë, koncepti i demokratëve aktivë, të cilët kritikojnë të parët, por vetë nuk angazhohen në mënyrë aktive, si dhe pjesa që vepron aktivisht, ndërsa kusht për çlirimin e Kosovës sheh luftën e armatosur.

Nëse në fillimet e tij, mendimet e grupeve të lëvizjes shqiptare, i trajtonte me kujdes dhe me to merrej në mënyrë të njëtrajtshme, duke i parë një nga një të metat dhe përparësitë e programeve ideore dhe veprimeve konkrete të tyre, në fazën e dytë, gjuha e tij intelektuale merrte shenja të forta ironie dhe kritike. Bartësit e partive dhe sidomos të lëvizjes pacifiste i atakonte me emër dhe për veprime konkrete.
Në shkrimet e tij, ai me të drejtë vërente një koincidencë, e cila nuk ishte krejt e rastit. Populli shqiptar, i cili kurrë nuk kishte pasur nevojë më shumë për t’ia dhënë grushtin e fundit Serbisë, po çarmatosej dyfish: lëvizja pacifiste shqiptarët po i çarmatoste moralisht ndërsa Serbia po i çarmatoste materialisht.

Populli shqiptar, shkruante Bahri Fazliu “i ngjeshi radhët si një grusht i vetëm rreth partive politike; fali gjaqet, mbylli armiqësitë mes vëllezërve përballë detyrës që kishte ndaj atdheut; mori pjesë i tëri në referendum; mori pjesë në ‘zgjedhje’… Ai tregonte kështu gadishmërinë e tij, tregonte unitetin e tij”.
Por, vazhdonte Bahriu, duke parafrazuar Jusuf Gërvallën, nuk mbahet shpirti me kulumria: Janë ato, partitë, që e parcializuan çështjen kombëtare, që shpërndanë nëpër botë qindra e mijëra të rinj, dhe është e kuptueshme prandaj, pse kemi dobësimin e radhëve të tyre si rezultat i zhgënjimit të popullit.

“LUFTA E ARMATOSUR NUK KA ALTERNATIVË TJETËR”

Pjesa më e madhe e artikujve të tij analitikë i takojnë fazës së tretë. Në këtë fazë, mendimi i tij, kritika e tij, reagimet e tij ashpërsohen jo vetëm ndaj individëve, partive e koncepteve të vonuara të tyre, por edhe ndaj sjelljes gjithnjë e më jomiqësore të të huajve lidhur me të drejtat e shqiptarëve në Kosovë. Bahri Fazliu do të punojë shumë dhe do të shkruajë dendur për çmistifikimin e politikës së deriatëhershme, do të kujdeset shumë që të rrënojë kështjellën shumëvjeçare të demokracisë së veshur me misticizëm, dhe do të provojë disa herë se: përpjekja e deritashme për një zgjidhje paqësore si alternativë, dëshmonte të kundërtën, se lufta e armatosur nuk ka alternativë tjetër.

Prej shembujve dhe prej krahasimeve të rastit, që bënë nga njëri artikull në tjetrin, Bahri Fazliu dëshmon se ishte njohës i mirë jo vetëm i historisë si kallëzim shkollor, por edhe historisë si pasqyrë intelektuale. Në këtë kontekst ai njihte mirë vlerësimet e shtypit ilegal të pasvitit 1981. Artikujt e shtypit ilegal i citonte me emër e mbiemër edhe atherë kur botimet bëheshin me autor anonim.

Bahri Fazliu në mënyrë aktive është marrë me tema aktuale, jo për të përmbushur obligimin moral të intelektualit, i cili po formohej para kohe, por për t’iu dhënë përgjigje atyre që drejtonin politikisht dhe intelektualisht botën shqiptare përgjithësisht.
Është e kuptueshme prandaj pse ai, në momentin e duhur do të jetë aty ku e kërkonte koha, tashti jo vetëm me programin politik, por edhe me veprimin konkret, në krye të Lëvizjes ushtarake për çlirimin e Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Luiz dhe Kiara kurorëzuan dashurinë e tyre me martesë. Luizi…