Bahtiri bën thirrje që të pengohet kolonizimi i mëtejshëm i veriut

07 qershor 2019 | 15:27

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka pritur në takim përfaqësuesit e Lagjes “Kroi i Vitakut”, Skender Rama, Ramadan Ademi si dhe Musa Haliti, të cilët njoftuan kryetarin Bahtiri se serbët në atë pjesë kanë filluar ndërtimin e disa shtëpive dhe kjo është e papranueshme nga ana e tyre, pasi asnjë shtëpi e banorëve serb nuk duhet të ndërtohet përderisa nuk lejohet ndërtimi i shtëpive të shqiptarëve në atë pjesë.

Skender Rama, banor i lagjes “Kroi i Vitakut”, ka kërkuar që shqiptarët nga pjesa veriore e Mitrovicës, duhet të kenë mbështetjen e nivelit qendrore për një jetë stabile dhe të qëndrueshme. “Ne si banorë të kësaj lagje kemi qenë gjithmonë për bashkëjetesë, mirëpo asnjë shtëpi e banorëve serb nuk duhet të ndërtohet përderisa nuk lejohet ndërtimi i shtëpive të shqiptarëve dhe ne me mundësit tona do të vazhdojmë me pengimin e punimeve”, ka thënë Rama.

Ai më tutje ka bërë me dije se të gjithë banorët shqiptarë janë të pajtimit që të iniciojnë një peticion me të cilin do të kërkohet nga institucionet e nivelit qendror që të pengohet ndërtimi i banesave dhe shtëpive serbe.

Kryetari Bahtiri i cili më shumë vëmendje ka dëgjuar të gjitha shqetësimit e këtyre banoreve, ka thënë se në të gjitha takimet e tij me përfaqësues të nivelit qendror dhe atë ndërkombëtarë ka ngritur zërin për 13 mijë shqiptarët e dëbuar me dhunë nga veriu i Kosovës, e veçanërisht nga pjesa veriore e Mitrovicës, të cilët akoma nuk janë kthyer në shtëpitë e tyre, ndërkohë vazhdojnë të jetojnë si refugjatë në pjesën jugore të qytetit dhe qytete tjera të Kosovës.

/Epoka e re/

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komuna e Ferizajt është duke mbajtur zgjedhjet për kryetar të…