Bahtiri kërkon nga drejtorët që Mitrovicën ta bëjnë qytetin më të pastër në Kosovë

10 shtator 2018 | 11:16

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka kryesuar mbledhja e radhës të Bordit të Drejtorëve, në të cilën janë diskutuar dhe shqyrtuar çështje të rëndësishme nga fushëveprimi i Bordit dhe drejtorive komunale.

Fillimisht fjalën e mori drejtori i Drejtorisë së Inspekcionit, Hysni Ahmeti, i cili ka informuar për aksionin e ndërmarrë nga kjo drejtori ditë më parë për rrënimin e katër shtëpive te liqeni akumulues, duke theksuar se gjatë realizimit të aksionit nuk ka pasur probleme.

Ai ka bërë me dije se gjatë kësaj jave do të vendoset edhe për rrënimin e dy shtëpive të tjera që gjenden në afërsi të liqenit akumulues.

Kryetari Bahtiri ka thënë se ka konsideratë për familjarët të cilëve u kanë rrënuar shtëpitë, mirëpo ky vendim është marrë në harmoni me ligjin dhe me pëlqimin e Kuvendit Komunal, me qëllim të të vazhdimit me realizimin e projekteve madhore të cilat do t’ia shtojnë bukurinë qytetit të Mitrovicës.

Ai ka thënë se projekti për ndërtimin e shtëpive për familjet me gjendje të rëndë ekonomiko-sociale do të realizohet ashtu sikur është parapa dhe këtë nuk mund ta ndaloj askush.

“Vendimet e Kuvendit të Komunës nuk mund t’i ndryshoj askush, pa marrë parasysh presionet dhe shantazhet që mund të vijnë nga njerëz apo grupe të ndryshme që i bëjnë për interesa të tyre”, ka thënë Bahtiri.

Në mbledhje u diskutua edhe për organizimin e aktiviteteve për aksionin “Ta pastrojmë Kosovën” të organizuar nga Qeveria e Kosovës.

Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtjen e Mjedisit, Asllan Isufi, ka thënë se nga 15 shtatori do të organizohet aksioni masovik për pastrimin e mbeturinave në gjithë Kosovën, ndërsa ky aksion në Mitrovicë do të zhvillohet nga 1 tetori deri më 13 tetor të këtij viti.

Drejtori Isufi ka bërë me dije se komuna i ka bërë të gjitha përgatitjet për realizimin e këtij aksioni me qëllim që Mitrovica të jetë një qytet sa më i pastër, andaj kërkon që edhe qytetarët të jenë të vetëdijshëm për rëndësinë e një mjedisi sa më të pastër dhe t’i bashkëngjiten aksionit.

Kryetari Bahtiri duke u ndërlidhur me këtë çështje, ka theksuar se në aksion duhet të japin kontributin e tyre edhe të gjitha drejtoritë komunale, në mënyrë që aksioni të përfundojë me sukses dhe që Mitrovica të jetë përfituese e grandit për komunat që tregojnë përformancë më të mirë.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mac Miller lëshoi një këngë përfundimtare para se të vdiste.…