Bajqinovci pajtohet me deklaratën e Gërvallës: BE-ja nuk është e aftë ta bëjë sigurinë për vetveten
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci është pajtuar plotësisht me deklaratën e ministres së jashtme, Donika Gërvalla, se Bashkimi Evropian (BE) është “tigër prej letre” në aspektin e sigurisë.
Ai ka thënë se reagimet për këtë deklaratë i kanë bërë më shumë opinionistët, ndërsa që opozita është normale që flet.
“Pse çfarë të bëjë në aspektin e sigurisë? Të kujt? Opinionistëve a? Opozita po. Opozita e ka normal që me fol, po më të madhe e kanë bërë opinionistët”, ka thënë deputeti i LV-së.
Sipas tij, bombardimet e kanë dëshmuar se Amerika dhe Britania janë kryesoret në aspektin e sigurisë.
“Pajtohem plotësisht sepse BE –ja nuk është e aftë ta bëjë sigurinë e vetë. Ne kemi pasur edhe bombardimet që kanë treguar që Amerika dhe Britania e Madhe janë kryesore”, ka thënë ai.
Sipas Bajqinovcit, sigurinë e kanë amerikanët dhe duhet qenë korrekt në këtë, derisa Kosova është pjesë e BE-së.
“Ne jemi pjesë e BE-së, por duhet me qenë korrekt, me tregu kush e ka sigurinë. Sigurinë në dorë e kanë amerikanët. Nëse nuk është ashtu më tregoni ju”, ka thënë Bajqinovci.