Bajrami bisedoi me Bankën Botërore për thellimin e bashkëpunimit me Kosovën

18 shtator 2020 | 16:48

Në kuadër të vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka zhvilluar takim më delegacionin e Bankës Botërore të udhëhequr nga Anna Bjerde, zëvendëspresidente e Bankës Botërore për Evropë dhe Azi Qendrore.

Temë e diskutimit ishte fuqizimi i bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Botërore në projekte që kanë për objektiv zhvillimin ekonomik të Kosovës. Në takim u diskutua portofolio ekzistuese e projekteve, përshpejtimi i implementimit të projekteve, hapësira fiskale për projek​te të reja si dhe instrumenti për zhvillimin e politikave si një platformë e rëndësishme e bashkëpunimit ndërmjet Bankës Botërore dhe Kosovës.

“Ministrja Bajrami e informoi ekipin e Bankës Botërore lidhur me kontekstin socio-ekonomik në vendin tonë dhe implikimet e shkaktuara nga pandemia COVID-19 në ekonominë e Kosovës. Ajo nënvizoi se Qeveria e Kosovës po punon intensivisht në adresimin e sfidave socio-ekonomike të shkaktuara nga pandemia, dhe në këtë kuadër, e mirëpret gatishmërinë e Bankës Botërore për të punuar ngushtë me Qeverinë e Kosovës në intensifikimin e bashkëpunimit i cili do të sjellë rezultate konkrete për zhvillimin socio-ekonomik dhe avancimin e reformave në Republikën e Kosovës”, është thënë në njoftimin e Ministrisë së Financave.

Sipas këtij njoftimi, nga ana tjetër, znj. Bjerde falënderoi Bajrami për bashkëpunimin e deritashëm me Qeverinë e Kosovës, dhe u shpreh se Banka Botërore do të jetë partner i fuqishëm i Kosovës. “Ajo shtoi se ekipi i Bankës Botërore do të punojë ngushtë më Ministrinë e Financave dhe Qeverinë e Kosovës në financimin e projekteve dhe reformave që do të kontribuojnë në rimëkëmbjen ekonomike të Republikës së Kosovës”.

 (A.M/ Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sulmuesi Gonzalo Higuain është zyrtarisht pjesë e Inter Miami. Sulmuesi…