Bajrami: Kosova po importon tetë herë më shumë sesa eksporton

04 korrik 2026 | 21:53

Deputetja e zgjedhur e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se Raporti Vjetor i BQK-së për vitin 2025 konfirmon shqetësimet për rritjen e çmimeve, ngadalësimin e ekonomisë dhe thellimin e varësisë nga importet, raporton GazetaBlic.

Sipas saj, ekonomia u rrit me 3.6 për qind në vitin 2025, ndërsa inflacioni arriti në 3.9 për qind, me parashikime që në vitin 2026 inflacioni të rritet në 6.7 për qind dhe rritja ekonomike të ngadalësohet në 3.5 për qind.

Bajrami theksoi se importet kanë arritur në rreth 7 miliardë euro, ndërsa eksportet vetëm 869 milionë euro, duke e cilësuar deficitin tregtar prej 6.1 miliardë eurosh si më të lartin në historinë e pasluftës. Ajo kërkoi politika që mbështesin prodhimin vendor, eksportin dhe uljen e kostos së energjisë për bizneset.

Postimi i plotë:

E thotë qartë edhe Raporti Vjetor i BQK-së për vitin 2025, atë që po e themi ne, atë që qytetarët dhe bizneset po e ndiejnë çdo ditë: çmimet po rriten shumë, ekonomia po rritë pak, ndërsa varësia nga importi po thellohet nga viti në vit.

Sipas BQK-së në vitin 2025, ekonomia e Kosovës është rritur vetëm 3.6%, ndërsa inflacioni ka arritur në 3.9%, kryesisht për shkak të rritjes së çmimeve të ushqimit dhe energjisë.

Por edhe më shqetësues është parashikimi për vitin 2026, ku sipas BQK-së, rritja ekonomike pritet të jetë 3.5%, pra edhe më e ulët se në vitin 2025, ndërsa inflacioni pritet të shkojë në 6.7%.

Me fjalë të tjera: ekonomia pritet të rritet më ngadalë, çmimet shumë më shpejt shto kësaj faktin se Kosova po importon shumë e po eksporton shumë pak.

Në vitin 2025, importi i mallrave ka arritur rreth 7 miliardë euro, ndërsa eksporti vetëm rreth 869 milionë euro. Pra, kemi importuar rreth 8 herë më shumë sesa kemi eksportuar.

Deficiti tregtar ka shkuar në rreth 6.1 miliardë euro, me rritje prej 12.5% krahasuar me vitin paraprak, më i larti në historinë e pasluftës ndërsa eksporti ka pësuar rënë lehtë për 0.2%, e importi është rritur për 10.6%.

Pavarësisht gjuhës tejet të kujdesshme të raportit dhe interpretimeve të moderuara këto janë shifra që nuk ka mundësi me u masku. Kjo është pasqyra më e qartë e një ekonomie që po mbahet nga konsumi, importi dhe remitencat – ekonomi që vuan nga inflacion i lartë, rritja ekonomike e pamjaftueshme, deficit tregtar në rritje, importi rekord dhe eksporti në rënie.

Sipas BQK-së çmimi i energjisë elektrike është rritur për 11.5%, e kur rritet energjia, rritet kostoja për bizneset, rritet çmimi i produkteve dhe në fund krejt këto i paguan qytetari dhe kjo është kosto shumë e lartë se 100 Eurot që shpërndan Qeveria në kohë të zgjedhjeve.

Kosovës i duhet politikë ekonomike që e kthen vëmendjen te prodhimi vendor, te eksporti, te ulja e kostos së energjisë për bizneset dhe te krijimi i vendeve të punës, sepse një ekonomi që importon 7 miliardë euro dhe eksporton më pak se 1 miliard euro, nuk është ekonomi e qëndrueshme – është ekonomi e varur.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për dialogun, Peter Sørensen, ka bërë…