Bajrami: PDK-ja gaboi kur bojkotoi zgjedhjen e presidentit

08 prill 2021 | 16:22

Ish-nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe njëri prej themeluesve të kësaj partie, Arsim Bajrami e konsideron të gabuar vendimin e PDK-së për të mos marrë pjesë në votimin për zgjedhjen e presidentit të vendit.

Sipas tij, me këtë është treguar papjekuri politike.

Njësoj gabim, sipas Bajramit, ka qenë edhe votimi për rrëzimin e Qeverisë Kurti 1 në kohën e pandemisë.

Anëtarësi i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Arsim Bajrami në një intervistë për “KosovaPress” ka vlerësuar se është jashtëzakonisht me rëndësi që në Kosovë ka ndodhur një tranzicion paqësor i pushtetit duke u kompletuar kështu formimi i institucioneve.

Duke folur për zgjedhjen e presidentit, ku përveç Lidhjes Demokratike të Kosovës, pjesa tjetër e opozitës nuk mori pjesë në votim, Bajrami ka vlerësuar se është qasje e gabuar, sidomos nga deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës.

“Çdo kund në pluralizëm ka taktika politike, si një nga themeluesit e Partisë Demokratike, nënkryetar për 17 vite e quaj të gabuar logjikën e PDK-së për të mos marrë pjesë në seancën ku themelohen institucionet. Nuk është kjo esenca e PDK-së, nuk është kjo origjina dhe filozofia që ne e kemi ndërtuar. Partia Demokratike është parti institucionaliste, shtetformuese dhe nuk duhet të bojkotojë asnjë seancë ku zgjidhen institucionet shtetërore, ajo mund të votojë kundër, mund të abstenojë por assesi të bojkotojë themelimin e institucioneve shtetërore për të cilat PDK-ja ka dhënë kontribut dhe është partia kryesore shtetformuese”, ka thënë Bajrami.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një ditë më parë në media është raportuar se xhandarmëria…