Balla: Shqipëria model në integrim, synojmë mbylljen e negociatave në 2027
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste të Shqipërisë, Taulant Balla, ka deklaruar për mediet jashtë Kuvendit se shteti shqiptar është duke u vlerësuar si model në procesin e integrimit evropian dhe se ambicia e qeverisë është përmbyllja e negociatave me Bashkimi Evropian (BE) deri në vitin 2027.
Balla ka theksuar se puna e institucioneve shqiptare në kuadër të reformave është vlerësuar pozitivisht, veçanërisht në kapitujt 23 dhe 24, të cilët lidhen me drejtësinë dhe luftën kundër krimit të organizuar.
“Në një farë mënyre miratohet ajo punë kolosale e bërë nga shumë institucione shtetërore, të përfshirë në këtë proces të adresimit, të atyre që i kemi quajtur piketa të ndërmjetme. Mes kapitujve 23-24 në historinë e BE janë ato që hapen të parat dhe mbyllen të fundit. Nga adresimet e Gjermanisë, një vend udhëheqës, thuhet se Shqipëria me reformën në drejtësi, krimin e organizuar, është një model për vendet e tjera, që aspirojnë. Kjo javë me rëndësi përmbyllet nesër me komunitetin e përfaqësuesve. Kemi pasur dje, është bërë publike fakti që Italia dhe Austria kanë dalë me një propozim që të përshpejtohet procesi për vendet e Ballkanit Perëndimor, mes tyre Shqipëria. Anëtarësimi me faza nuk na dëmton”, ka thënë Balla, raporton “Euronews.al”.
Sipas Ballës, procesi i negociatave kërkon përfshirje politike, apo me mundësinë e një referendumi në të ardhmen.
“Ambicia jonë është mbyllja e negociatave deri në 2027. Në fund të 2027 mbyllen negociatat dhe më pas topi nuk është më krahun e vendeve aspirantë, por në fushën e vendeve anëtare. Ky është proces i gjatë, kërkon përfshirjen e Parlamentit, mund të kërkohet dhe përfshirja e popullit me referendum”, ka thënë Balla.



