Qeveria miraton marrëveshje të reja për shëndetësinë, energjinë dhe infrastrukturën

17 nëntor 2026 | 22:27

Qeveria e Kosovës ka miratuar dy projektligje për ratifikimin e marrëveshjeve të kredisë për investime në sektorin e shëndetësisë, përfshirë pajisje të reja mjekësore, modernizimin e spitaleve publike dhe përmirësimin e kapaciteteve diagnostikuese e trajtuese.

Vendimet janë marrë në mbledhjen elektronike të Qeverisë, në të cilën janë miratuar edhe disa nisma për marrëveshje grantesh dhe kredish në fushën e ujërave të zeza, energjisë, rrjetit të transmetimit dhe menaxhimit të mbeturinave.

Projektligji i parë ka të bëjë me ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Kosovës dhe Bankës Evropiane të Investimeve për projektin “Përmirësimi i Pajisjeve Mjekësore dhe Infrastrukturës”.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, marrëveshja parasheh “blerjen e pajisjeve të reja mjekësore, punimet infrastrukturore rehabilituese për instalimin e tyre, ngritjen e Njësisë së Zbatimit të Projektit (NJZP), asistencën teknike dhe trajnimin e ekipeve të inxhinierisë biomjekësore për mirëmbajtjen e këtyre aseteve”.

Ndërkaq, projektligji i dytë ka të bëjë me ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Kosovës dhe Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës për projektin “Përmirësimi i Kujdesit Shëndetësor Sekondar dhe Terciar”.

Ky projekt parasheh modernizimin dhe përmirësimin e pajisjeve mjekësore në gjashtë spitale publike, si dhe përshtatjen dhe rinovimin e infrastrukturës spitalore për instalimin dhe funksionimin e pajisjeve, përfshirë ato të teknologjisë së lartë.

Sipas njoftimit, synohet edhe “përmirësimi i kapaciteteve diagnostikuese dhe trajtuese të institucioneve publike shëndetësore” dhe rritja e qasjes së barabartë në shërbime, veçanërisht për familjet e cenueshme dhe me të ardhura të ulëta.

Përveç dy marrëveshjeve për shëndetësinë, Qeveria ka miratuar edhe nismën për lidhjen e marrëveshjes së grantit dhe zbatimit të projektit ndërmjet Kosovës, Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina” dhe bankës gjermane KfW, për projektin “Zhvillimi Urban i Përshtatur me Klimën – Ujërat e Zeza në Prishtinë”.

Po ashtu, është miratuar nisma për marrëveshjen e grantit ndërmjet Kosovës, KOSTT-it dhe KfW-së për projektin “Përmirësimi i Rrjetit të Transmetimit”, si dhe nisma për grantin për projektin “Menaxhimi i Mbetjeve të Ngurta II-IV”, me kontribut të Bashkimit Evropian.

Në fushën e ujërave të zeza, Qeveria ka miratuar edhe nismën për lidhjen e marrëveshjes së kredisë me Agjencinë Franceze për Zhvillim për projektin “Ndërtimi i Impiantit për Trajtimin e Ujërave të Zeza në Prishtinë”.

Ndër vendimet e tjera është edhe miratimi i nismës për marrëveshjen e grantit për projektin e Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, me Bankën Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim, në cilësinë e administratorëve të Komisionit Evropian.

Në të njëjtën mbledhje, Qeveria ka miratuar kërkesat e Ministrisë së Financave për realizimin e kursimeve dhe ndarjeve buxhetore, si dhe për ndarjen e mjeteve për mbulimin e mungesës së krijuar si rezultat i alokimit të parakohshëm.

Po ashtu, është miratuar kërkesa e disa institucioneve për transferimin e mjeteve buxhetore deri në 25 për qind të ndarjeve të ndikuara negativisht. Në mesin e institucioneve përfituese nga ky vendim janë Ministria e Zhvillimit Rajonal, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Parlamenti i Suedisë ka votuar për përfshirjen e së drejtës…