Ballkani midis diplomacive konspirative, publike dhe ambige

29 mars 2020 | 20:02

Prof. Lisen Bashkurti

Ka më shumë se një vit që procesi i bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi për të arritur një marrëveshje përfundimtare që do të konkludonte me njohje reciproke të sovranitetit dhe integritetit territorial midis dy shteteve, ka ngecur.

Shkaqet janë të shumta. Midis këtyre shkaqeve zhvillimet kontraverse politike në Serbi, Kosovë, janë kryesoret. Gjithashtu, dy faktorët kryesorë lokal, Serbia dhe Kosova, janë gjendur relativisht të mënjanuar nga diplomacia Perëndimore.

Bashkimi Evropian vitin e kaluar u përball me zgjedhjet, me sfidën e BREX-it si dhe me kriza të tjera si ajo e emigrantëve nga zonat e krizave në Siri, Irak, Afganistan si dhe vendet e tjera të Magrebit. Këto përballje e larguan përkohësisht nga fokusi i BE-së dialogun Kosovë-Serbi. Në këto rrethana, u aktivizuan më shumë shtete individuale, si Gjermania dhe Franca, si zëdhënëse të strategjisë së politikës së jashtme të BE-së.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës vitin e kaluar u karakterizuan nga ‘rrëshqitje’ të shumta të prioriteteve në politiken e jashtme. Nga Lindja e Mesme drejt Lindjes së Largët, nga lufta tregtare me Kinën në ballafaqimet e ashpra me Iranin, nga tërheqja prej Sirisë dhe Irakut tek bisedimet e dëshpëruara me Korenë e Veriut. Këto ‘rrëshqitje’ te politikës së jashtme të ShBA-së, gjithashtu, lanë në periferi zgjidhjen e çështjes së marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Është e njohur aksioma diplomatike sipas së cilës, kur aktorët e mëdhenj me ndikim ndërkombëtarë largojnë vëmendjen ndaj zonave të krizave, atëherë aktorët lokalë aktivizohen në mënyrën e tyre. Një situatë të tillë, shkrimtari francez, Molier e përshkruante të komedia e tij ‘Kopraci’ në këtë mënyrë metaforike… ‘kur macja del të shëtisë, minjtë hedhin valle mbi dysheme’. Kjo ndodhi vitin e kaluar edhe në rastin e krizës Kosovë-Serbi.

Viti kaluar, 2019 solli ndërprerje të plotë të bisedimeve formale midis Serbisë dhe Kosovës. Në vend të dialogut në marrëdhëniet Kosovë-Serbi patëm një përshkallëzim të ballafaqimit dhe të përkeqësimit ndërmjet tyre. Serbia rriti agresivitetin kundër Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare, sidomos për terheqjen e njohjeve për Kosovën nga disa shtete.

E vënë përballë këtij agresiviteti serb në rrafsh ndërkombëtar, Qeveria e Kosovës vendosi tarifën 100 për qind për importin e mallrave serbe në Kosovë. Kjo masë reaktive dhe vetëmbrojtëse e Kosovës, tërhoqi vëmendjen e diplomacisë Perëndimore, të BE-së dhe ShBA-së drejt krizës Kosovë-Serbi. Zgjedhjet e 6 tetorit 2019 në Kosovë dhe rezultati i tyre u determinuan nga kriza Kosovë-Serbi. Qeveria Kurti u votua për opsion të kundërt me atë të presidentit Thaçi.

Por këto ishin ballafaqime politike zyrtare dhe publike. Ndërkohë, sipas burimeve të shumta që vijnë nga ekspertë e diplomatë të shquar si D. Friedmam, D. Server, J. Bugajskij, T. Judah apo mediat prestigjioze Nju York Times, The Gardian, Der Standard etj., gjatë kësaj periudhe në Ballkan është aktivizuar diplomacia konspirative, përmes aktorëve lokalë, serbë e kosovarë, konkretisht përmes presidentëve Vuçiq dhe Thaçi, si dhe përmes iniciativave lokale tërthore si minishengeni Ballkanik.

Diplomacia konspirative, thuhet gjerësisht dhe nuk kundërshtohet publikisht, ka dizajnuar një marrëveshje përfundimtare me formulën e shkëmbimit të territoreve, dukshëm në favor të Serbisë dhe në dëm të Kosovës, sikundër me rrezik të madh për paqen e stabilitetin në rajon.

Diplomacia Perëndimore rifilloi aktivizimin e saj kur kambana e ballafaqimit Kosovë-Serbi filloi të dëgjohej në kancelaritë e tyre dhe vetëm kur diplomacisë konspirative Vuçiq – Thaçi dhe mbështetësve të tjerë lokalë u doli boja publikisht. Por, këtë herë, diplomacia Perëndimore duket se nuk është më e të njëjtës vale. Përqasjet diplomatike midis BE-së dhe ShBA-së, por edhe brenda ShBA-së, lidhur me zgjidhjen e krizës Serbi-Kosovë kane diverguar në mjaft aspekte.

Divergimi midis BE-së dhe ShBA-së në përqasjen ndaj zgjidhjes së krizës Kosovë-Serbi ka ardhur nga ndryshimet në politiken e jashtme dhe diplomacinë e ShBA-së me shumë sesa në politiken e jashtme dhe diplomacinë evropiane.

Politika e jashtme dhe diplomacia e ShBA-së për zgjidhjen e krizës Serbi-Kosovë duket se nuk ka kohezionin e brendshëm midis Shtëpisë së Bardhë dhe Departamentit të Shtetit, si dhe midis Ekzekutivit dhe Legjislativit. Mesa duket faktorë të ndryshëm, lëvizje influencash dhe lobingje të shumta po ndikojnë për cenimin e kohezionit të shumë viteve më parë të politikës së jashtme dhe diplomacisë ndaj Kosovës dhe Serbisë.

Duket se ka faktorë diplomatikë, sidomos në Shtëpinë e Bardhë, që po tentojnë të krijojnë një fare ‘balancimi’ midis Kosovës dhe Serbisë, po mbështesin, ose së paku nuk po kundërshtojnë opsione shkëmbimesh territoriale dukshëm në favor të Serbisë dhe në dëm të Kosovës dhe paqes e sigurisë në rajon, si dhe po përpiqen ta mbyllin në mënyrë të nxituar e të pamaturuar marrëveshjen përfundimtare Kosove-Serbi.

Këta faktorë diplomatikë në Shtëpinë e Bardhë, duke filluar nga John Bolton deri tek Grenell, në perceptimin publik ndërkombëtar, kanë shënuar hapa retrograde dhe diversifikues në strategjinë e politikës së jashtme të ShBA-së dhe kanë ndikuar, aq sa kanë mundur, në divergjencat midis ShBA-së dhe BE-së për zgjidhjen e krizës përfundimtare Kosovë-Serbi. Por, ndërsa Bolton ishte konservator dhe konsistent me qëndrimet e tij revizionuese për politiken e jashtme të ShBA-së. Grenell është pragmatik e konjuktural që kërkon zgjidhje të shpejtë si dhuratë e vetme ndërkombëtare për shefin e tij për zgjedhjet e nëntorit për Shtëpinë e Bardhë.

Vështruar nga ekspertët, diplomatët e shquar dhe mediat ndërkombëtare Perëndimore, diplomacia e lobimeve në rritje në Uashington kohet e fundit ka anuar më shume drejt diplomacisë konspirative të aktorëve lokalë serbë e kosovarë dhe opsioneve të tyre sekrete. Ky lëshim i diplomacisë Amerikane drejt konspiracionit Ballkanik, ka ngjallur reagim të fuqishëm politik në institucionet legjitime dhe opinionin publik kosovar, në qarqet e politikave zyrtare brenda BE-së, në grupet e ekspertëve e diplomatëve të shquar në Perëndim dhe në median e prestigjioze botërore.

Ky reagim i fuqishmen ndërkombëtar kërkon dhe mbështet njëzëri nga diplomacia Perëndimore, në BE dhe ShBA një veprim diplomatik publik, dhe është kundër veprimit diplomatik konspirativ. Diplomacia konspirative është pjellë e sistemeve përpara Sistemit e Versajës, kur monarkët, perandorët dhe princat e botës së vjetër, bënin pazare me fatet e popujve dhe në përfitim të tyre. Kjo diplomaci konspirative prodhoi zgjidhje të padrejta, të padobishme dhe shumë të dëmshme. Diplomacia konspirative injoronte popujt, legjitimitetin e tyre, paqen e sigurinë ndërkombëtare. Për këtë arsye diplomacia konspirative i ka shërbyer konflikteve e luftërave dypalëshe, rajonale dhe botërore.

Ballkani ka qenë prodhues dhe viktimë e diplomacisë konspirative. Prej saj mori epitetin ‘Fuqi Baroti’. Gjithë luftërat ballkanike janë paraprirë dhe bashkëshoqëruar me diplomaci konspirative. Edhe tani, që Ballkani përjeton një prej periudhave më të mira, partizanët e diplomacisë konspirative jetojnë e veprojnë si hije.

Ithtarët e diplomacisë konspirative janë kryesisht në zonat e krizave, e posaçërisht në atë Kosovë-Serbi, me përfaqësuesit serbe Vuçiq e Daçiq dhe me përfaqësues kosovar Thanin dhe disa perfid të tjerë në Prishtinë e Tiranë, që hedhin gurin e fshehin dorën. Në rrafsh më të gjerë, diplomacinë konspirative në Ballkan e mbështesin pasuesit Ivanit të tmerrshëm, Pjetrit të Madh dhe Stalinit në Kremlinin e sotëm.

Ka afro 100 vjet që diplomacia publike ka fituar legjitimitetin në marrëdhëniet ndërkombëtare. Ajo ngrihet nga parimet demokratike, legjitime, të drejta dhe të dobishme të shoqërive dhe shteteve demokratike. Mbi këtë është ngritur Teoria e Paqes Demokratike, që prodhon paqe brenda shteteve dhe paqe në botë. Diplomacia publike e merr fuqinë në legjitimitetin e institucioneve demokratike, në parimet e normat ndërkombëtare, në mbështetjen e popujve, të mediave, të shoqërisë civile dhe të opinionit botëror.

Në rastin e krizës aktuale Serbi-Kosovë për një kohë të gjatë u ballafaquan dy diplomaci: diplomacia konspirative dhe diplomacia publike. Diplomacia konspirative me rrënjët në Ballkan dhe në Lindje. Ndërsa diplomacia publike kryesisht me rrënjët në Perëndim. Krisja me shqetësuese, opinionalisht lindi nga perceptimi publik kombëtar dhe ndërkombëtar, sipas të cilit disa aktorë diplomatikë dhe lobues rreth qarqeve me ndikim në Shtëpinë e Bardhë, kanë anuar në diplomacinë konspirative Ballkanike.

Deklarata e ditëve të fundit e kongresmenit Eliot Engel, një nga personalitetet me të shquara të politikes së jashtme e diplomacisë botërore si dhe kryetarit të Komitetit të Politikës së Jashtme të Kongresit Amerikan i shpalos publikisht këto shqetësime në politiken e jashtme dhe diplomacinë e ShBA-së posaçërisht për zgjidhjen përfundimtare të krizës Kosovë-Serbi.

Mbas këtij ballafaqimi ndërkombëtar, por edhe brenda Perëndimore e brenda Amerikan, ku dukshëm diplomacia publike triumfoi mbi diplomacinë konspirative, vërejmë një taktikë tjetër, të disa diplomatëve dhe lobuesve të ndryshëm, lë të themi ‘diplomacia ambige’.

Diplomacia ambige që vërehet kohet e fundit në qëndrimet, veprimet dhe deklarimet e Grenellit lidhur me opsionet e zgjidhjeve të krizës Kosovë-Serbi nuk është as mbështetëse e diplomacisë konspirative Ballkanike Vuçiq-Thaçi, por as mbështetëse e diplomacisë publike Perëndimore, Evropiane dhe Amerikane.

Diplomacia ambige është një diplomaci alternative, herë më herë pa principe, herë më e herë pa strategji, herë më herë pa prioritete. Diplomacia ambige është e paqëndrueshme, pragmatike dhe konjukturale. Si e tille diplomacia ambige prodhon zgjidhje të paqëndrueshme, jolegjitime, në shërbim të interesave konkrete e konjukturale politike apo profitabile të atyre që e bëjnë dhe të atyre që e mbështesin. Lobet dhe diplomatet e lobingjeve preferojnë diplomacinë ambige. Kësaj diplomacie i shkon për shtat termi ‘pay-to-play’.

Kriza aktuale Serbi-Kosovë ka arritur në një pikë kritike. Mbi këtë krizë po veprojnë interesa politike të ndryshme dhe të kundërta. Kërkimi dhe gjetja e zgjidhjes do të varet shumë nga diplomacia, si arti i negocimit për zgjidhje paqësore, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme të krizave.

Aktualisht në krizën Serbi-Kosovë po veprojnë tri lloje diplomacish. Diplomacia konspirative me baze lokale Serbi-Kosovë, me mbështetje të aktorëve përreth dhe frymëzim Lindor. Diplomacia publike me baza legjitime demokratike lokale dhe ndërkombëtare Perëndimore në baza në BE-ShBA. Diplomacia ambige pragmatike dhe konjukturale me disa baza edhe lokale dhe Perëndimore, edhe në BE edhe ne ShBA.

Është një betejë diplomatike e paparë, e panjohur, e paparashikueshme. Nga fitorja dhe fituesi i kësaj beteje diplomatike do të varet e ardhmja e diplomacisë së re dhe nga diplomacia e re do të varet në masë të konsiderueshme edhe vet rendi i ri botëror.

Zgjidhja përfundimtare e krizës Kosovë-Serbi duket se do të shënojë rënien e ‘murit të fundit në Evropë’, pjesë e skenarit për dhënien fund të Luftës së Ftohtë dhe fillimit të rendit të ri botëror.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ismail Syla, këshilltar i presidentit, Hashim Thaçi E kam thënë…