Ballkani Perëndimor me “rëndësi strategjike” për BE-në
Në Samitin ndërmjet Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian (BE), blloku evropian ka thënë se ky rajon ka perspektivë evropiane dhe është rajon me “rëndësi strategjike”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se projekti i BE-së duhet të përmbyllet me përfshirjen e gjashtë vendeve të BE-së.
“Me udhëheqësit nga BE-ja dhe Ballkani Perëndimor u bisedua për mundësitë e thellimit të dialogut politik, bashkëpunimin e sigurisë dhe angazhimin strategjik, duke riafirmuar angazhimin e përbashkët. U diskutua edhe se si të sigurohet stabiliteti i rajonit, të forcohet bashkëpunimi rajonal dhe të zgjidhen konfliktet rajonale”, ka njoftuar zyra e Kurtit.
Në kuadër të këtij samiti, Kurti ka zhvilluar një takim me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Në këtë takim, ishin prezentë kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron.
Kryeministri Kurti, përmes një postimi në llogarinë e vet në “Twitter” ka treguar për temat që sipas tij janë diskutuar në këtë takim.
“Në takimin me kancelaren Merkel, presidentin Macron dhe presidentin e Serbisë, biseduam për Procesin e Berlinit, për lëvizjen e lirë dhe njohjen e diplomave. Ne mbështesim marrëveshjet ku të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor trajtohen njësojë dhe prej të cilave përfitojnë qytetarët”,ka shkruar Kurti.



