Nesër fillon gjykimi ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt në Hagë

06 tetor 2021 | 17:52

Gjykimi i dytë në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, ai kundër krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, pritet të nis nesër (e enjte).

Gucati dhe Haradinaj janë duke u akuzuar për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.

Përmes platformës online “Zoom”, shefja e Informimit dhe Komunikimit Publik në DHSK, Angela Griep, në konferencën për media të mbajtur më 30 shtator, ka bërë me dije se në seancën e 7 tetorit kryetari i trupit gjykues do të bëj hapjen e gjykimit, do të kërkojë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) leximin e aktakuzës, e do të pyesë të akuzuarit nëse i kanë kuptuar akuzat kundër tyre.

Më tutje, ajo ka deklaruar se Gucati dhe Haradinaj do të informohen nga kryetari i trupit gjykues për disa nga të drejtat dhe detyrimet e tyre gjatë gjykimit, e më pas do të vazhdohet me deklaratën hyrëse të Prokurorisë.

Kurse, dëgjimi i dëshmitares së parë në këtë rast, Griep ka thënë se pritet të nisë më 18 tetor.

E njëjta gjithashtu ka bërë me dije se data e synuar që prokuroria të përfundojë paraqitjen e çështjes së saj është 9 nëntori.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj janë duke u akuzuar për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Akuzat e paraqitura në aktakuzën e konfirmuar mbështeten në dyshimin e bazuar mirë se së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, Gucati dhe Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale”, është thënë në njoftimin e Dhomave të Specializuara.

Gucati dhe Haradinaj ngarkohen se kanë bërë komente nënçmuese kundër dëshmitarëve të mundshëm dhe në mënyrë të përsëritur shprehen synimin e tyre për të dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara.

“Me këto veprime, Gucati dhe z. Haradinaj shkelën fshehtësinë e procedurës dhe frikësuan dëshmitarë (të mundshëm) të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe si pasojë penguan punën dhe hetimet e ZPS-së”, është thënë në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Prishtinë do të vazhdojë të kritikohet marrëveshja e fundit…