
Basha: Bizneset nuk janë zënë në befasi, është dashur të përgatiten më herët
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, ka thënë se vendimi për daljen në tregun e lirë “nuk i ka zënë krejt në befasi” bizneset në Kosovë.
Madje, sipas tij ato është dashur të përgatiten më herët.
“Kjo për të dalë bizneset është në krejt vendet e ndryshme dhe është një ligj që tash e tetë vite pritet që të implementohet. Bizneset që po dalin në treg të hapur i kanë mbi 1 miliard euro fitim në vit, nuk po them që kjo nuk mund të ndikojë pak në çmime, por megjithatë jemi duke folur për profit, jo për qarkullim. Mendoj që kjo ka qenë çështje kohësh, ka qenë që 8 vite. Mendoj që nuk i ka zënë krejt në befasi, se bizneset është dashur që të përgatiten pak më herët. Por megjithatë qeveria mendoj që duhet me gjetur iniciativa dhe është duke e bërë Ministria e Ekonomisë për t’i ndihmuar”, ka thënë Basha sipas “EO”.
Kujtojmë se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka përdorur gjuhë të ashpër ndaj bizneseve, para nisjes së protestës së bizneseve në Prishtinë.
“Për të mbrojtur 1 për qind të ndërmarrjeve të fuqishme në kurriz të 99 për qindëshit dhe të familjeve anë e mban Kosovës, ata po duan të bëjnë barrikada në hyrje te Prishtinës. Por koha e barrikadave në Kosovë ka kaluar, i kemi hequr ato kudo ku kanë qenë dhe jemi zotuar që nuk do të lejojmë më të reja të vendosen”, ka thënë Kurti.