Protesta e bizneseve, zë i arsyes përballë bllokadës së shtetit

29 maj 2025 | 13:14

Shkruan: Hisen Berisha

Në një klimë të ngarkuar nga pasiguria ekonomike, rritja e çmimeve të energjisë dhe mungesa e qartësisë në politikat zhvillimore të qeverisë, zëri i bizneseve që protestuan dje para Kuvendit nuk ishte thjesht reagim i interesit ekonomik, por një akt i përgjegjshëm qytetar dhe shoqëror. Ishte një thirrje e hapur për ndryshim, për ndërgjegjësim institucional dhe për kthim të shtetit nga arroganca në dialog.
Bizneset, që janë shtylla e ekonomisë sonë, që mbajnë punësimin, eksportet dhe gjenerojnë të ardhura për buxhetin e shtetit, nuk protestuan për favore, por për të mos u mbyllur. Nuk kërkuan privilegje, por drejtësi ekonomike dhe barazi në trajtim. Nuk dolën në rrugë për të minuar rendin kushtetues, por për ta mbrojtur atë nga degradimi i politikave që po i shkatërrojnë çdo ditë.
Përballë kësaj proteste legjitime, pamë një tjetër fytyrë të krizës sonë institucionale: bllokimin e Kuvendit. Deputetët e vendit, në vend se të përballeshin me sfidat reale të qytetarëve dhe t’u jepnin përgjigje bizneseve që po shuhen një nga një, zgjodhën të bllokojnë vetë tempullin e demokracisë.
Kuvendi i Republikës nuk është as pronë e deputetëve, as zyrë partie. Është vendi ku përfaqësohet populli, përfshirë edhe ai që punon dhe paguan taksa çdo ditë – sipërmarrësit tanë.
Bllokimi i tij është akt i papërgjegjshëm dhe i rrezikshëm, që thellon krizën politike në vend të zgjidhjes së saj.
Në vend të reflektimit të domosdoshëm, pamë një tjetër reagim shqetësues: tentativën për të kriminalizuar protestën përmes etiketimeve të papranueshme. Por, koha e propagandës po mbaron.
Tendenca e Kryeministrit në detyrë, në një mbledhje të paligjshme, për t’i krahasuar protestuesit paqësorë – përfaqësues të bizneseve që mbajnë gjallë ekonominë – me strukturat kriminale serbe që vendosnin barrikada në Veri, përmes togfjalëshit “koha e barrikadave ka mbaruar”, nuk është vetëm një shpërqendrim nga dështimet e qeverisë. Është një akt i turpshëm i propagandës që përpiqet të delegjitimojë çdo zë kritik. Është shpërfytyrim politik dhe etik i kësaj nomenklature të penalizueshme për abuzim, sabotim e degradim të shtetit funksional.
Ky krahasim fyes tregon më shumë për frikën e pushtetit nga llogaridhënia sesa për ndonjë analizë korrekte politike. Dhe dëshmon për një strukturë që, e zhytur në krim të organizuar dhe korrupsion, po barrikadohet jo vrtëm përballë protestuesve, por përballë hetimeve, drejtësisë dhe shoqërisë civile.
Çdo ditë e më shumë po bëhet e qartë se arroganca në pushtet, mungesa e dëgjimit dhe tendenca për të injoruar sektorin privat nuk çojnë drejt zhvillimit, por drejt stagnimit. Dhe stagnimi ekonomik nuk ndëshkon vetëm bizneset por ndëshkon të gjithë shoqërinë: punëtorët, studentët, fermerët, qytetarët pa zë.
Prandaj, protesta e ndërmarrësve është më shumë se një protestë – është një shpresë. Është kujtesa se ende ekziston një segment i përgjegjshëm në këtë vend që nuk dorëzohet para krizës dhe që kërkon llogari. Është një akt inkurajues që meriton mbështetje, jo vetëm morale por edhe politike e institucionale.
Qeveria duhet të dëgjojë. Kuvendi duhet të funksionojë. Bizneset nuk janë armiku – janë partneri që shteti nuk mund t’i injorojë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Fituesja e Kupës së Kosovës në futboll, FC Prishtina ka…