
Basha takon qytetarët e sipërmarrësit në Kamëz: Shqipërisë i duhet një qeveri normale
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka mbajtur të martën takim me qytetarët dhe sipërmarrësit e vegjël në Kamëz, ku ka dëgjuar shqetësimet e tyre, për shkak të krizës së krijuar nga Covid-19.
“Në Kamëz, ashtu si dhe në gjithë Shqipërinë takova qytetarë dhe sipërmarrës të vegjël të zhytur në varfëri, të braktisur nga qeveria dhe në pamundësi për të siguruar mbijetesën. Qytetarë të papunë, biznese të zhytura në borxhe, taksa dhe fatura të larta si dhe ulja drastike e fuqisë blerëse janë kryefjalë në jetën e çdo fshati, lagjeje dhe qyteti të Shqipërisë”, ka shkruar Basha në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka thënë se derisa shqiptarët varfërohen, oligarkët vazhdojnë të shtojnë pasuritë që i bashkëndajnë me qeveritarët.
“Qytetarëve të Kamzës dhe çdo shqiptari sot i duhet një qeveri normale që t’iu krijojë mundësi për të jetuar e punuar”, ka thënë Basha.
Ai ka shtuar se mbështetja e sipërmarrësve të rinj dhe punësimi i të rinjve do të jetë ndër prioritetet kryesore të tij dhe PD-së.