‘Bashkëpunimi Kinë-ShBA nuk është opsion, por urgjencë’

05 janar 2024 | 16:20

Ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi, ka thënë të premten se detyra më urgjente në marrëdhëniet në mes të Kinës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) është bashkëpunimi dhe mirëkuptimi i drejtë mes palëve, duke theksuar se kjo “nuk është më vetëm opsion” për botën.

Bashkëpunimi është “zgjidhja më e drejtë që Kina dhe Shtetet e Bashkuara të kalojnë mirë”, ka thënë Wang gjatë një fjalimi për shënimin e 45-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Kinës dhe ShBA-së.

“Mund të thuhet se bashkëpunimi Kinë-SHBA nuk është më opsion për të dyja vendet dhe madje as për botën, por një urgjencë e cila duhet të adresohet seriozisht”, ka thënë Wang.

Marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës kanë qenë të tensionuara për një sërë çështjesh, përfshirë për sigurinë kombëtare, konfliktet globale, kufizimet tregtare, ndryshimin klimatik dhe Tajvanin.

Mosmarrëveshjet diplomatike janë përkeqësuar vitin e kaluar, pasi të dyja vendet e akuzuan njëra-tjetrën se lëshuan balona të lartësisë së madhe mbidetare mbi hapësirat ajrore të njëra-tjetrës.

Gjatë javës së kaluar, dy superfuqitë kanë kryer stërvitje ushtarake në Detin e Kinës Jugore, ku mosmarrëveshjet rrethi territorit të kontestuar të rajonit janë duke u intensifikuar.

Wang ka thënë se Kina shpreson se ShBA-ja do t’i zbusë qëndrimet dhe do t’i respektojë vendimet që i merr populli kinez dhe rrugën e zhvillimit të Kinës, përfshirë kur ajo i mbron sovranitetin kombëtar dhe integritetin e vet territorial.

“Ne jemi të gatshëm të përkushtohemi për të ndërtuar marrëdhënie të qëndrueshme dhe shëndosha Kinë-ShBA, mbi bazën e respektit të ndërsjellë”, ka thënë ai, raporton “Rel”.

ShBA-ja dhe aleatët e saj kanë thënë shpesh se janë të shqetësuar për forcimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve mes Kinës dhe Rusisë.

Krye diplomati i Kinës ka udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara së fundmi, pasi të dyja vendet po kërkojnë t’i menaxhojnë dallimet për ta shmangur konfliktin.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka uruar Violetta Berishën për…