Bashkëshorti i presidentes Osmani i quan mediat ‘Ndërmarrje e përbashkët kriminale’

08 shkurt 2022 | 23:00

Prindon Sadriu, bashkëshorti i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, i ka quajtur mediat “ndërmarrje e përbashkët kriminale”, pasi raportuan se Osmani, sa ishte deputete, ishte kompensuar me 4 mijë euro, për derivatet e shpenzuara, përkundër se ajo jetonte në Prishtinë dhe sipas rregullores deputetët që jetojnë në kryeqytet nuk kanë të drejtë kompensimin.

Sipas tij e gjithë kjo piketim e Osmanit nga mediat e ka një qëllim, “njollosjen e punës së presidentes”.

“Kur përfaqësuesit e Ndërmarrjeve të Përbashkëta kriminale, ‘gazetarët’ e parapolitikës, e persona të përfshirë në reket e në keqpërdorime milionëshe, moralizojnë. Janë këta moralizues e shpifës të cilët paguanin një natë akomodim me Nju Jork $1.200 në Hotel Interconntinental Manhattan, e mëngjesin e paguanin $50 për person (drekat e darkat iu shkonin deri ne mijera dollarë). Bileta avioni First Class e rrallë herë Business Class. Për Economy as që flitej. Ju nuk keni lënë gjë publike pa keqpërdorë”.

“Dhjetëra miliona euro keqpërdorime të qytetarëve përmes të cilave keni blerë televizione, portale e paguani ‘qepues’ për t’u munduar ta njollosni punën e ndershme të Presidentes. Për juve shteti është vetëm mjet për mbrojtjen e interesave biznesore e kriminale. Kaq!”, ka shkruar ai.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani përgjatë kohës sa ishte deputete e Parlamentit, përgjatë viteve 2011-2014 ishte kompensuar me rreth 4 mijë euro nga shteti për rrugëtimin e saj, kinse nga Mitrovica.

Ndryshe, këshilltari për media e Zyrës së presidentes së Kosovës, Bekim Kupina, përmes një statusi në rrjetin e tij social në “Facebook” ka tentuar ta shfajësoj Presidenten Vjosa Osmani, duke potencuar se kjo e fundit nuk ka qenë e informuar nga administrata e Kuvendit për kompensimin e udhëtimit.

“Osmani asnjëherë nuk është informuar nga administrata e Kuvendit apo trupat e tjerë të Kuvendit, që ndërkohë është marrë një vendim i tillë për kompensim”, vazhdon statusi.

Sipas Kupinës, presidentja sa ka qenë deputete nuk ka paraqitur kërkesë për kompensim për udhëtim.

Ai madje ka bërë të ditur se Osmani edhe pse është regjistruar si deputete nga komuna e Mitrovicës, shumicën e kohës ka udhëtuar nga Gjilani për në Prishtinë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) shpreh shqetësimin e thellë me…