INDEP: Vendimi i ZRRE-së për strukturën tarifore i ndikuar politikisht dhe një arrnim i paqëndrueshëm i krizës aktuale

08 shkurt 2022 | 23:00

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) shpreh shqetësimin e thellë me vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për strukturën e re tarifore.

INDEP ka thënë se vendimi i ri mund të ndikojë në rritjen e konsumit energjetik, dhe kjo nuk i ndihmon tranzicionit energjetik në vend. Ata kanë thënë se vendimi është ndikuar politikisht nga Qeveria.

“Zhvendosja e bllok tarifës nga 600 në 800 dhe mos aplikimi i shkallëzimit të tretë tarifor nuk i kontribuon aspak efiçiencës së energjisë. Për më tepër, subvencionimi selektiv dhe jo linear vetëm sa do të rrisë konsumin energjetik në vend. Ky vendim nuk i ndihmon tranzicionit energjetik. Përkundrazi, e vazhdon bllokimin artificial të sektorit të energjisë në vend. Jemi gjithashtu të shqetësuar nga kjo shpërfaqje e hapur e ndikimit politik të Qeverisë në vendimin e sotëm të ZRRE-së”, kanë thënë INDEP në komunikatën për media.

Sipas INDEP, vendimi i ZRRE-së bjen në kundërshtim me vlerësimet e vet Rregullatorit dhe realitetin e sektorit të energjisë në vend. “Në arsyetimin e vendosjes së bllok tarifës në 600 kË, vet ZRRE-ja kishte deklaruar që në fakt sasia mbi 600 kWh është sasia e energjisë që ka nevojë të importohet dhe e cila e ngarkon sistemin”, kanë thënë nga INDEP.

INDEP kanë thënë se vendimi sipas të cilit konsumatorët deri në 800 kWh në muaj do të subvencionohen, mund të ndikojë që investimet në BRE të duken të pafavorshme.

“Zhvendosja e bllokut në 800 kWh përjashton pothuaj të gjithë konsumatorët nga incentiva për të kursyer energjinë. Ky vendim ngadalëson procesin e tranzicionit energjetik duke bërë që investimet në efiçiencë të energjisë dhe në burime të ripërtrishme përmes paneleve solare të jenë të pafavorshme në një treg ku çmimi i energjisë deri në 800 kWh subvencionohet”, kanë thënë INDEP.

INDEP kanë thënë se ZRRE ka vendosur të dëmtojë pavarësinë dhe profesionalizmin e vet duke përkrahur opsionin e partisë udhëheqëse dhe në kundërshtim me vetveten, komentet e INDEP dhe ato të Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë.

Ata i kanë bërë thirrje ZRRE-së të rishikon vendimin dhe të ofrojë zgjidhje nga prizmi profesional dhe jopolitik, si dhe të shkëputet nga ndikimet politike shumëvjeçare.

“Duke hedhur poshtë vendimin e sotëm dhe duke ofruar zgjidhje të balancuar që tejkalon krizën në njërën anë dhe shtynë Kosovën drejt tranzicionit në anën tjetër, ZRRE ka shansin të dëshmohet si organ i pavarur dhe profesionist”, kanë thënë INDEP.

“Vendimi i sotëm dëmton tregun energjetik, profesionalizmin dhe pavarësinë e Rregullatorit. Vazhdon një avaz të vjetër të nxitjes së konsumit të mëtutjeshëm, dekurajimit të dekarbonizimit dhe bllokimit të tregut të Kosovës”, kanë shkruar INDEP në fund të komunikatës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gazetari Valon Syla ka folur për vendimin që mori sot…