Bastisjet dhe ndalimet e fundit nga Specialja, KMDLNj-ja akuzon EULEX-in për mosbesim

13 shtator 2023 | 13:26

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e Lirive të Njeriut (KMDLNj)  ka reaguar rreth rastit të bastisjes së banesës së familjarëve të heronjve Fahri dhe Bahri Fazliut në Prishtinë dhe ndalimin e Rrustem Mustafës – Remit me kërkesë të Gjykatës Speciale.

Ky këshill përmes një reagimi ka thënë se këto ngjarje po sjellin një shqetësim të madh për drejtësinë dhe sovranitetin e Kosovës.

“EULEX-i doli me një sqarim se ata nuk kanë marrë pjesë në bastisje e as në arrestim në ndërkohë që intervistimet dhe të arrestuarit dërgohen në bazën e EULEX- it”, është thënë në reagim.

Më tutje KMDLNj ka akuzuar EULEX-in për mosbesim ndaj Policisë së Kosovës.

“Edhe të arrestuarit apo të dënuarit e Gjykatës Raciste të Hagës gjatë vizitave humanitare në Kosovë pjesën më të madhe të kohës e kalojnë në njësinë e paraburgimit në bazën e EULEX-it që nënkupton se aspak nuk i besojnë Policisë së Kosovës, madje e shpërfillin dhe e nënçmojnë profesionalizmin e saj sikur që ishte me rastin e ofrimin e garancioneve për mbikëqyrje dhe zbatim të masave alternative nëse eventualisht masa e paraburgimit i zëvendësohet ndonjërit nga të burgosurit me ndonjë masë më të butë”, është thënë në reagimin e KMDLNj-së.

Në këtë reagim është theksuar se “nuk ndodhë në një vend normal që persona të paidentifikuar, në çdo kohë dhe kur të duan, pa dijen e autoriteteve vendore të arrestojnë, intervistojnë shtetasit tuaj e që nuk ka ndodhur as në diktaturat më brutale”.

Banesa e familjarëve të heronjve Fazliu është bastisur të martën në mëngjes ku sipas familjarëve janë marrë disa materiale, fotografi, libra, ndërsa pak orë më vonë është ndaluar edhe Rrustem Mustafa, të cilit i është konfiskuar telefoni.

Po ashtu,  gazeta “Epoka e re”, ka raportuar edhe për ndalimin e ish-ambasadorit të Kosovës në Tiranë, Nait Hasani, të cilit po ashtu i është konfiskuar telefoni.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Federata e Futbollit të Rumanisë ka dënuar sjelljen e huliganëve…