BE-ja dëshiron të rifillojë negociatat me Turqinë

19 prill 2024 | 11:14

Pas vitesh ngecjeje BE-ja dëshiron të ringjallë marrëdhëniet me Turqinë. Bashkimi Evropian ka interes strategjik për një mjedis të qëndrueshëm në pjesën lindore të Mesdheut dhe është i interesuar për marrëdhënie me përfitim reciprok, është thënë në deklaratën e miratuar në Bruksel nga krerët e shteteve dhe të qeverive të BE-së.

Megjithatë thelbësore është nëse Ankaraja do të marrë pjesë në mënyrë konstruktive në këtë proces.

Scholz: Jo gjithmonë një partner i lehtë

“Turqia nuk është gjithmonë një partner i lehtë, por është një partner i rëndësishëm strategjik”, ka thënë kancelari Olaf Scholz pas përfundimit të samitit të BE-së në Bruksel. Kjo vlen për “shumë, shumë çështje” ka thënë Scholz. Kjo është arsyeja pse për Turqinë, vend aleat i NATO-s, nevojitet një perspektivë e orientuar drejt së ardhmes.

BE-ja dëshiron të rifillojë negociatat me Turqinë

Gjermania ka sugjeruar që samiti i BE-së “ta mandatojë mjaftueshëm” Komisionin e BE-së që të zhvillojë negociata për një marrëveshje për migrimin me Turqinë dhe në këmbim të saj lehtësimin e vizave për qytetarët turq që duan të vijnë në BE. “Bashkëpunimi i mirë është në interes të të dyja palëve”, ka thënë Scholz.

Bashkimi doganor

Përveç liberalizimit të vizave, krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së u shprehën edhe në favor të vazhdimit të bisedimeve për modernizimin e bashkimit doganor mes BE-së dhe Turqisë.

Pas diskutimeve 27 krerët e shteteve dhe të qeverive të BE-së kanë vendosur në samitin e tyre që t’i japin mandatin përkatës Komisionit të BE-së.

Komisioni i BE është gjithashtu në favor të vazhdimit të bisedimeve me Turqinë, por kohët e fundit ka theksuar se qëndrimi relativisht jokritik i Turqisë ndaj Hamasit islamik bie ndesh me qëndrimin e BE-së, që e klasifikon këtë si një organizatë terroriste. /DW

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtori i Institutit KIPRED, Lulzim Peci, ka thënë se ka…