Peci: Nëse Asociacioni nuk shkon në Kushtetuese, anëtarësimi i Kosovës në KE shtyhet për një vit

19 prill 2024 | 11:09

Drejtori i Institutit KIPRED, Lulzim Peci, ka thënë se ka informacione se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës mund të shtyhet, nëse Asociacioni nuk dërgohet në Gjykatë Kushtetuese.

“Na nuk mundemi me e shfajësuar vetën prej përgjegjësisë politike dhe shtetërore që e kemi pasur në bërjen e Asociacionit edhe tash duhet me u ballafaquar me realitetet politike. Vendet e Quint-it ia kanë kumtuar këtë kryeministrit… Kryeministri e di. Po e përsëris nëse tash nuk shkon në Gjykatën Kushtetuese me aq sa kam informacion votimi shtyhet për një vit”, ka thënë Peci në “RTV21”.

Ai ka thënë se bashkësia ndërkombëtare për dy vjet radhazi ka kërkuar nga Kosova ta krijojë draftin për Asociacionin. “Kur e panë që nuk u bë një gjë e tillë ata e krijuan vet draftin”.

Sipas tij anëtarësimi në këtë këshill është i rëndësishëm jo vetëm për shkak të të drejtave të njeriut. “Duhet pasur parasysh, Kosova po anëtarësohet si shtet evropian në institucionin më të vjetër të Evropës”.

Peci ka thënë se armiku i Asociacionit është vet presidenti serb, Aleksandër Vuçiq.

“Ai krejt këtë punë është duke e bërë që Asociacioni mos të bëhet, ai e do ndarjen e Kosovës edhe do që të tregojë se Kosova nuk zbaton asgjë, edhe nuk do që të lë asnjë zgjidhje tjetër përpos një autonomie të fortë territoriale… edhe ato veç në veri, i cili më pastaj mund t’i bashkohet Serbisë”, ka thënë Peci, duke shtuar se pjesë e këtij skenari ka qenë sulmi i Banjskës.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kapiteni i Kombëtares së Shqipërisë, Berat Gjimshiti është shprehur krenarë…