‘BE-ja është në dijeni për votën e Serbisë kundër Kosovës në KE’

25 prill 2023 | 14:28

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE), Peter Stano, ka thënë se institucionet e Brukselit “janë në dijeni” se Serbia votoi kundër aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës (KE).

Megjithatë, Stano nuk ka dashur t’i përgjigjet pyetjes nëse BE-ja e konsideron këtë veprim shkelje të Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve, që Kosova dhe Serbia arritën më herët gjatë këtij viti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, më 27 shkurt në Bruksel janë pajtuar për marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve. Ndërsa më 18 mars në Ohër ata janë pajtuar për Aneksin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.

Neni 4 i kësaj marrëveshjeje thotë se Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare.

Pavarësisht se Kurti dhe Vuçiq nuk e kanë nënshkruar marrëveshjen, BE-ja e ka konsideruar atë marrëveshje dhe ka deklaruar se dokumenti është ligjërisht i detyrueshëm për të dyja palët.

“Diskutimet për nënshkrimin (e marrëveshjeve) janë krejtësisht të kota dhe të parëndësishme. Ekziston një angazhim në nivelin më të lartë politik dhe ai angazhim tani është bërë i detyrueshëm në procesin e anëtarësimit për të dyja palët. Përparimi në dialog dhe zbatimi (i marrëveshjeve) do të reflektohet në rrugëtimin e tyre (të Kosovës dhe Serbisë) evropian”, ka thënë Stano.

Zëdhënësi i BE-së ka konfirmuar se marrëveshja e arritur në Ohër është ende e vlefshme dhe se fokusi i të gjithëve duhet të jetë në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tani në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga blloku evropian.

Më 24 prill, Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës ka votuar që t’i përcjellë Asamblesë Parlamentare të këtij institucioni kërkesën për anëtarësimin e Kosovës.

Për këtë vendim, 33 vota ishin për, shtatë kundër dhe pesë abstenime.

Para se të mbahej votimi në Këshillin e Evropës, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka treguar se shteti i tij do të votojë kundër anëtarësimit të Kosovës në këtë institucion.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12 maj 2022.

Këshilli i Evropës është organizata më e vjetër evropiane që merret me zhvillimin e demokracisë dhe të drejtat e njeriut. Kjo organizatë ka procedura të caktuara për pranimin e anëtarëve të rinj. Këto procedura kalojnë përmes Këshillit të Ministrave dhe Asamblesë Parlamentare, ku marrin pjesë deputetët nga parlamentet e shteteve anëtare.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Peter Stano, zëdhënës i Bashkimit Evropian

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sezoni 2023 nuk ka nisur shumë mirë për Mercedesin, që…