BE-ja: Mizoritë në Reçak janë të dokumentuara mirë

15 janar 2020 | 17:16

Bashkimi Evropian (BE) ka theksuar të mërkurën se mizoritë e kryera në Reçak, në janar të vitit 1999, janë të dokumentuara mirë.

Deklarata vjen në ditën kur është duke u shënuar 21-vjetori i masakrës së Reçakut, në të cilën forcat serbe kanë vrarë 45 shqiptarë të Kosovës.

“Mohimi dhe rishikimi (i masakrës) janë në kundërshtim me vlerat e BE-së dhe në kundërshtim me projektin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE”, ka thënë një zëdhënës i BE-së përmes një deklarate të shkruar, raporton “Rel”.

Në dhjetor të vitit të kaluar, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka deklaruar se krimi në Reçak “ka qenë i trilluar”.

Bashkimi Evropian ka thënë se të gjitha qeveritë e vendeve të rajonit duhet të punojnë për të vlerësuar me ndershmëri dhe vërtetësi të kaluarën, për hir të respektimit të viktimave.

“U takon gjykatave të përcaktojnë nëse deklaratat e caktuara përbëjnë vepra penale. Dënimi duhet të jetë proporcional dhe të gjitha elementet e rastit duhet të merren parasysh”, ka thënë zëdhënësi i BE-së, duke shtuar se rajoni ka nevojë për pajtim, stabilitet dhe normalizim të marrëdhënieve.

Të martën, edhe ambasadorët e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara e kanë kujtuar masakrën e Reçakut përmes një deklarate të përbashkët.

Ata kanë thënë se kjo masakër përfundimisht bëri që aleatët e NATO-s të ndërhyjnë dhe t’i japin fund një katastrofe humanitare në Kosovë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sipas gazetës prestigjioze “L’Equipe”, Edinson Cavani nuk dëshiron të presë…