BE-ja parashikon rënie më të madhe ekonomike nga pandemia Covid-19

07 korrik 2020 | 17:26

Krahu ekzekutiv i Bashkimit Evropian parashikon që ekonomia e bllokut do të tkurret më shumë sesa pritej më parë, për shkak të pandemisë Covid-19, e cila, për disa muaj, ka bllokuar bizneset dhe jetën publike.

Ekonomia e BE-së do të tkurret për 8.3 për qind këtë vit, përpara se të rritet për 5.8 për qind më 2021, thuhet në parashikimin e Komisionit Evropian. “Rruga për rikuperim është ende me pasiguri. Kjo është kryesisht e lidhur me pasigurinë epidemiologjike”, tha komisionari evropian i Ekonomisë, Paolo Gentiloni.

Në parashikimin e mëparshëm, të publikuar në muajin maj, kur pjesa më e madhe e kontinentit ishte ende e izoluar, Prodhimi i Brendshëm Bruto parashihej të tkurrej për rreth 7.5 për qind këtë vit dhe të rritej për 6 për qind vitin e ardhshëm.

Gentiloni tha se sfida më e madhe e BE-së në muajt në vazhdim do të jetë gjetja e balancës së duhur midis domosdoshmërisë për të rihapur ekonomitë e BE-së dhe për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve.
“Ne duhet të jetojmë me rrezikun e shpërthimeve lokale që mund të çojnë në rivendosje të izolimeve lokale, të cilat e ngadalësojnë rimëkëmbjen ekonomike”, tha ai.
Sipas të dhënave nga Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, mbi 178 mijë njerëz kanë vdekur në Evropë, pasi janë diagnostikuar me Covid-19. /REL/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Pallatin Elysee në Paris, kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti,…