Hoti takohet me Macronin: Franca, e përkushtuar për ta ndihmuar Kosovën në dialogun me Serbinë

07 korrik 2020 | 17:26

Në Pallatin Elysee në Paris, kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri Driton Selmanaj dhe pjesa tjetër e delegacionit të kryeministrit, është pritur sot nga presidenti i Republikës së Francës, Emmanuel Macron.

Kjo është vizita e parë bilaterale në Pallatin Elysee e një kryeministri të Kosovës pas shumë vitesh.

Hoti ka pohuar se marrëdhëniet e Kosovës me Francën janë të shkëlqyera. Sipas tij, Franca ka luajtur rol kyç në të gjitha fazat e shtetndërtimit të Kosovës dhe populli i Kosovës është mirënjohës për këtë.

Në takim u bisedua për zhvillimet në Kosovë dhe rajon me fokus në perspektivën euro-integruese, si dhe për çështjen e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Kryeministri Hoti e siguroi presidentin Macron se Kosova është e vendosur të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të treguar vendosmërinë për perspektivën e saj euro-integruese, si e vetmja mundësi për paqe, stabilitet dhe prosperitet të kësaj pjese të Evropës.

Në këtë tak u tha se Franca mbetet e përkushtuar për të ndihmuar Kosovën në mbështetjen e procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kryeministri Hoti ka theksuar se Kosova është e përkushtuar për këtë proces të rëndësishëm, i cili duhet të përfshijë njohjen reciproke dhe normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy vendeve.

Presidenti Macron dhe kryeministri Hoti u pajtuan që të dy vendet të bashkëpunojnë për shkëmbimin e të dhënave në mes të dy ministrive të Brendshme sa i përket rendit dhe ligjit, të punohet për promovimin e shkëmbimeve ekonomike në mes Francës dhe Kosovës, si dhe të punohet së bashku për promovimin e frankofonisë në Kosovë.

Në fund të takimit, kryeministri Hoti e ftoi presidentin Macron për vizitë në Kosovë, të cilën ftesë presidenti e mirëpriti. Kjo vizitë do të ndodhë në të ardhmen në një moment të përshtatshëm për presidentin Macron.

(M.Q / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Titulli i kampionit në Superligë dhe “Këpuca e Artë” janë…